Serbia fshiu më shumë se 2 mijë shqiptarë nga regjistrat civil në Medvegjë
Ragmi Mustafa thotë se Serbia po bën pastrim juridik të shqiptarëve të Medvegjës, dhe kërkon që Kosova të reagojë lidhur me këtë çështje.
Serbia ka nisur fushatë të egër ndaj shqiptarëve në Medvegjë. Atyre u janë fshirë adresat e vendbanimeve në regjistrat civil, duke u pamundësuar ushtrimin e të drejtave primare demokratike.
E për këtë çështje ka folur edhe kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa.
Ai për lajmi.net ka thënë se janë rreth dy mijë shqiptarëve të cilëve u janë fshirë adresat e përhershme të vendbanimeve.
Mustafa thotë të kenë reaguar shumë kohë më parë për këtë çështje.
“Këshilli Kombëtar Shqiptar ka reaguar shumë herët për fshirjen e adresave të përhershme për shqiptarët e Luginës. Medvegja nga kjo është goditur më së shumti ku sipas informacioneve jo zyrtare janë pasivizuar adresat e më shumë se 2 mijë banorëve, të cilat si rrjedhojë e kanë fshirjen e regjistrave civil dhe votues, pra të listave unike zgjedhore. Ne e kemi paralajmëruar se kjo është shkelje e të drejtave të njeriut, dhe civile”, ka thënë ai.
Sipas Mustafës, një gjë e tillë po ndodhë vetëm për shkak të përkatësisë etnike të shqiptarëve, dhe se sipas tij veprime të tilla janë komplet në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën.
Mustafa ka konfirmuar, se kjo ka pamundësuar udhëtimin në Kosovë të qytetarëve të Medvegjës, pasi që të njëjtit nuk mund të nxjerrin letërnjoftime në organet e shtetit serb.
Po ashtu, nga ky vendim, Mustafa thotë të jenë prekur edhe fëmijët të cilët janë të pajisur vetëm me pasaporta.
“Ne kemi konsidueruar se ky është një akt diskrimunes dhe antiligjor, dhe e cila po imponohet vetëm për shkak të përkatësisë etnike. Pas riaktivizimit të marrëveshjes së vitit 2011 për dokumentat e udhëtimit, pasur parasysh që fëmijët deri në moshën madhore nuk kanë letërnjoftime, pra kanë vetëm pasaporta, kjo e ka vështirësuar komunikimin e shqiptarëve të Medvegjës me Kosovën dhe diasporën. Këtë çështje e kemi paraqitur institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Mustafa.
Ai tutje thotë të kenë kërkuar që shqiptarët e Luginës të përjashtohen nga kundërmasat e Kosovës ndaj Serbisë.
Sipas tij, kjo tregon edhe rëndësinë që ka fakti që Lugina e Preshevës të përfshihet në dialog.
“Ne kemi kërkuar që shqiptarët të përjashtohen nga kundërmasat ndaj shtetit serb. Ajo që për ne është e rëndësishme është që këtu tregon se sa e rëndësishme që Lugina e Preshevës të përfshihet në dialog dhe të gjindjet një zgjidhje ku përfshihet edhe Lugina”, ka thënë ai.
Mustafa thotë se ata e përshëndesin çdo vendim të autoriteteve kosovare, mirëpo se duhet pasur gjithmonë parasysh që shqiptarët që jetojnë atje të mbrohen nga pasojat e mundshme.
Sipas tij, Serbia po bën pastrim juridik të shqiptarëve në Medvegjë.
“Kjo i pamundëson ushtrimin e të drejtës demokratike të votës, dhe në këtë mënyrë Serbia në Medvegjë po tenton të bëjë spastrimin juridik të shqiptarëve”, ka thënë Mustafa.
Si pasojë e vendimit të Kosovës për mosnjohjen e pasaportave serbe, informacionet janë se janë diku rreth 300 shqiptarë të cilët janë kthyer në kufi me Kosovën.
Ata janë zënë në befasi nga vendimi i autoriteteve kosovare i cili është ndërmarrë pa asnjë paralajmërim.