Lajme

Serbët në Veri shkrepin plumba në drejtim të atletëve kosovarë, pjesë e grupit edhe Donika Kadaj-Bujupi

Grupi “Kosovo Mountain Club” që eksplorojnë malet e vendit janë sulmuar me armë zjarri nga serbët në veri.

Ky grup sot ishte duke ecur në vendin e quajtur Shijak i Bubes që është në veri të Kosovës.Por organizatori i këtij grupi, Adnan Beqiraj, ka thënë për KlanKosova se nuk ka të lënduar.

“Jemi nisur për ecje në Zubin Putok në kufi me Serbinë dhe papritmas dy njerëz kanë dalë në mes të shtegut malor dhe me një distancë 30-40 kanë filluar të shkrepin me kallash”.

“Nuk e di se a kanë qëlluar në drejtim tonë, por ne jemi kthyer prapa. Ata nuk kanë folur asgjë, por janë serbë sigurt”.“Një herë ka shkrepur një plumb, pastaj kur jemi ulur në tokë, janë shkrepur mbi 30 të tjerë”.

Beqiraj shton se janë duke ecur në Shalë të Bajgorës.Kjo ngjarje e klubit të atletëve kosovarë ishte paralajmëruar që 5 ditë. Pjesë e këtij grupi është edhe ish-deputetja, Donika Kadaj-Bujupi.

Mirëpo, para pak minutash vetë ish-deputetja Kadaj-Bujupi, ka publikuar një fotografi nga Mitrovica, duke lënë të kuptohet se është në gjendje të mirë.