Lajme

SERBËT E MITROVICËS I BASHKOHEN BEOGRADIT – DHJETËRA SERBË PROTESTOJNË KUNDËR VUÇIQIT

Dhjetëra qytetarë serbë, kryesisht të rinj, në mesin e të cilëve edhe ish-deputetja e Parlamentit të Kosovës, Rada Trajkoviq, kanë protestuar sonte në veri të Mitrovicës me slloganin “1 nga 5 milionë”, kundër dhunës politike, vrasjeve, kërcënimeve dhe veprime tjera të ngjashme.

Marko Jakshiq, njëri nga organizatorët e kësaj proteste, duke i quajtur të pranishmit si njerëzit më të guximshëm që ka njohur deri tani, ka bërë të ditur se ata janë tubuar sonte në nderim të ish-politikanit Oliver Ivanoviq, dhe kërkoi gjetjen sa më parë të autorëve të vrasjes së tij.

Sipas tij, në Serbi ka që 6 vite që mungon liria, dhe se i tërë aparati shtetëror serb është vu në funksion kundër kësaj proteste, duke bërë presion dhe duke frikësuar qytetarët. Ai ka potencuar se nëse dikujt prej pjesëmarrësve të kësaj proteste i ndodhë ndonjë e keqe, atëherë përgjegjës kryesor do të jetë Marko Gjuriq.

“Jemi tubuar këtu që ta nderojmë Oliver Ivanoviqin, i cili humbi jetën tragjikisht. Duam të dimë kush janë autorët dhe urdhërdhënësit e kësaj vrasje. Pesë – gjashtë vitet e fundit në Serbi nuk kemi liri. Nëse për shkak të një shëtitjeje, i tërë aparati shtetëror i Serbisë është këtu, pesë ditë që të ushtrojë presion, që njerëzit të ftohen pa asnjë bazë, atëherë ne të gjithë kemi humbur rrugën thellë. Mendoj që secili prej nesh ka të drejtë që të mendojë lirshëm, të shpreh qëndrimin e tij, dhe të zgjedh lirshëm atë që dëshiron ta përfaqësojë. Dua të potencoj diçka, se nëse i ndodhë çfarëdo e keqe dikujt prej nesh, përgjegjës do të jetë Marko Gjuriq. Nuk ka më automjete të djegura, kërcënime, nënçmime, thyerje koke dhe vrasje politike, për shkak se mendojmë ndryshe”, ka thënë para gazetarëve Jakshiq.

Ndërkaq, Liderja e Iniciativës Qytetare “SDP”, Ksenija Bozhoviq ka bërë të ditur për KosovaPress, se protesta është organizuar nga qytetarët, kryesisht të rinj, dhe ideja është të dëshmohet se ka dhe të tjerë qytetarë, qoftë edhe një, i cili mendon ndryshe, ka qëndrime dhe ide të ndryshme.

Sipas saj, politikanët kanë abstenuar nga pjesëmarrja e tyre në këtë protestë, në mënyrë që protesta mos të marr karakter politik. “Iniciativa për organizimin e një proteste të tillë ka qenë e qytetarëve, kryesisht e të rinjve. Prandaj, kemi vendosur që politikanët të mos marrim pjesë në mënyrë që vullnetit të qytetarëve të mos i jepet karakter politik”, ka thënë për KosovaPress Bozhoviq.

Protestuesit kanë shëtitur nga përmendorja e “Car Llazarit” deri tek selia e “SDP”-së ku u vra Oliver Ivanoviq, me ç’rast në shenjë nderimi ndezën qirinj para obeliskut.

Organizatorët e kësaj proteste për disa ditë kanë qenë të kritikuar nga Lista Serbe dhe drejtori i të ashtuquajturës zyra për Kosovën pranë qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq.

Ndryshe, protesta të tilla “1 nga 5 milionë”, janë mbajtur gjatë muajit të fundit nëpër disa qytete të Serbisë, me ç’rast u kundërshtua politika aktuale në Serbi dhe presidenti Aleksandar Vuçiq, raporton KosovaPress.