Lajme

Selimi: Takimet në Bruksel, dekurajuese – udhëheqja e dialogut nga SHBA’ja, garancia e jonë e vetme

Ministri i Drejtësisë së Kosovës, Selim Selimi, thotë se roli udhëheqës i Shteteve të Bashkuara në dialogun Kosovë-Serbi është garancia e vetme që Prishtina të ketë pozita të barabarta në tavolinë.

Ai e cilësoi takimin në Bruksel mbi këtë çështje shkurajues, pasi sipas tij u krijua mundësia e rikthimit të palëve tek dialogu teknik.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Selimi ka folur ndër të tjera rreth pasojave që mund të sjellë konfirmimi nga Gjykata e Posaçme e akuzave ndaj Presidentit Thaçi apo kryetarit të Partisë Demokratike Veseli.

Gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, ministri Selimi u takua me të dërguarin e posaçëm për Ballkanin në Departamentin e Shtetit Matthew Palmer, përfaqësuesin e lartë të USAID-it për Evropën dhe Euroazinë Brock Bierman si dhe zëvendës Ndihmës Sekretarin amerikan, Jorgan Andrews, nga Byroja për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit.

Zoti ministër, pandemia e COVID-19 çoi në kufizime dhe ndryshim të mënyrës së punës në shumë fusha edhe në Kosovë. Si po funksionin sistemi i drejtësisë në këtë situatë?

Ministri Selimi: Me masat e ndërmarra që kanë qenë aktuale për shkak të pandemisë dhe kufizimeve që janë ndërmarrë nga qeveria prej manualit e më pas kufizime më të veçanta, janë prekur të gjitha ministritë për të ndërmarrë veprime për të kufizuar punën. Ne menjëherë, në Ministrinë e Drejtësisë, e kemi reflektuar manualin që është votuar në qeveri dhe kemi filluar t’i përgjysmojmë kapacitetet e punës sonë. Pikë së pari, ata që kanë qenë më në moshë dhe në bazë të IKSHP-së kanë qenë më të prekur nga pandemia, i kemi liruar të punojnë nga shtëpia, disa prej stafit joesencial gjithashtu i kemi liruar të punojnë nga shtëpia. Por edhe ndërveprimi përbrenda institucioneve tona është kufizuar shumë. Për më shumë disa prej axhendave tona ndërkombëtare kanë ndikuar shumë në finalen e madhe të dialogut që ta kemi më të kufizuar, do të thotë trafikun qoftë në Bruksel qoftë në Washington dhe kjo ka shkaktuar pasiguri për shkak se dialogu ka vazhduar përderisa ne kemi qenë me të kufizuar. Me gjithë shfrytëzimin e teknologjisë për të organizuar takime megjithatë është ndryshe të jesh pjesë e një çështjeje rajonale apo ndërkombëtare pa marrë pjesë fizikisht në to. Pandemia ka shkaktuar kufizime, por fatmirësisht këto kufizime kanë dhënë rezultate tash në rënien e numrave të të infektuarve dhe kemi kaluar atë pragun në të cilin kemi më shumë persona të shëruar sesa të infektuar edhe pse kemi rritur në masë testimin në popullatë. Do të thotë që këto kufizime kanë treguar rezultate të mira. Për shkak se pandemia nuk është vetëm problem i Kosovës, por edhe problem global, ne më në fund jemi stabilizuar me shpërndarjen e pandemisë.

Ju keni paralajmëruar ngritjen e Gjykatës Komerciale e cila siç ju keni thënë do të jetë një ndihmë e madhe për ekonominë në kohë pandemie. Cili do të jetë konkretisht roli i saj?

Ministri Selimi: Ky është një prej projekteve për të cilin ministria e Drejtësisë është krenare, për shkak se ministria e Drejtësisë do të ketë mundësi t’i shtojë një shtyllë të tërë sistemit tonë drejtësisë, e që është drejtësia komerciale. Ne kemi punuar nga afër me SHBA-në që ta bëjmë ligjin për gjykatën komerciale, i cili është në përfundim e sipër. Me krenari e them që në shtator do ta dërgojmë në kuvend për t’u votuar. Kjo gjykatë do të merret me konteste komerciale. Deri më tash ne i kemi pas kontestet komerciale dhe ekonomike të shpërndara nëpër gjykata dhe departamente. Tash do ta ndërtojmë një adresë të vetme në të cilën bizneset dhe kontestet e qytetarëve në aspektin ekonomik do të adresohen aty. Për më shumë unë kam kërkuar nga grupi punues që të fusë një normë e cila do ta bëjë një panel të veçantë që do të merret vetëm me investimet e huaja direkte, që do t’i japë siguri investitorëve të huaj që edhe në pjesën juridike do të trajtohen në mënyrë efektive. Ne e kemi një politikë shumë të mirë të taksave dhe një politikë shtetërore e cila është e favorshme për investitorët e huaj, por fatkeqsisht shumë prej këtyre investitorëve në kontestet e tyre kanë pritur me vite të tëra që t’u zgjidhet një lëndë. Tash më në fund do ta kemi një adresë, në të cilën do të trajtohen të gjitha këto çështje dhe të gjitha këto konteste. Gjykata komerciale është një inovacion i sistemit tonë të drejtësisë. Është një inovacion i cili, që siç thuhet, nëse ekziston një dorë e padukshme e ekonomisë së tregut të lirë, do ta kemi një dorë të dukshme të sundimit të ligjit. Shumë kontrata mes qytetarëve në aspektin ekonomik, shumë investime, shumë çështje të cilat kanë pas të bëjnë me administratën tatimore që janë stërzgjatur, e stërzgjatur, tash do të trajtohen në mënyrë më efektive. Që do të thotë që do të ketë kosto më të vogël të bizneseve dhe kosto më të vogël të interaksioneve ekonomike mes qytetarëeve. Unë jam shumë krenar që është bërë një punë e madhe. Është bërë kjo punë e madhe direkt me SHBA, me të cilën ne së bashku e kemi prodhuar një kod i cili do ta rregullojë gjykatën komerciale.

Zoti ministër, publikimi i njoftimit për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike Kadri Veseli u pasua me ringjalljen e kërkesave për ndryshimin e ligjit për Gjykatën e Posaçme. A është i mundur ndryshimi i këtij ligji?

Ministri Selimi: Dhomat e specializuara janë gjykatë dhe prokurori e Kosovës. E them këtë për shkak se janë të rregulluara me kushtetutë, e cila është votuar në kuvendin e Kosovës. Dhe janë të rregulluara me ligj, i cili gjithashtu është votuar në Kuvendin e Kosovës. Ne kemi dy marrëveshje me Holandën për dislokimin e kësaj gjykate atje. Tash sa i përket funksionimit të gjykatës, ata janë të pavarur, ashtu siç janë edhe gjykatat tona. Ata të prokurorisë janë të pavarur ashtu siç është prokuroria jonë. Publikimin e asaj deklarate, unë si ministër i Drejtësisë e kam marrë me shqetësim, pasi koha e publikimit të deklaratës ka qenë një kohë shumë specifike e përparimit të dialogut. Ne kemi kërkuar me ngulm që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta kenë lidershipin në këtë dialog, pasiqë ne e kemi vetëm këtë mbështetje, vetëm SHBA. Gjatë rrugës për në Shtëpinë e Bardhë është publikuar deklarata. Tash prokuroria dhe gjykata kanë plotësisht të drejtë që ta gjejnë të vërtetën, që të ndjekin dhe ta gjykojnë, pasiqë ne nuk kemi pse të frigohemi sepse lufta jonë për çlirim ka qenë luftë e pastër. Por publikimi i deklaratave në momente të tilla politike prodhojnë efekt politik. Andaj, publikimi i asaj deklarate nuk ka qenë e natyrës juridike, ka qenë më shumë e natyrës politike, dhe ka qenë e natyrës së marrëdhënieve me publikun. Këtë shqetësim e kam shprehur edhe publikisht, edhe në takimet e mia. Gjykata dhe prokuroria janë aty për të ndjekur dhe për të gjykuar, por unë mendoj se çdo tejkalim i natyrës juridike, formës juridike të tyre, në prodhimin e efekteve politike është i keq.

Edhe kur ky institucion konstaton se po ushtrohej një farë presioni ndaj punës dhe veprimtarisë së tij?

Ministri Selimi: Unë nuk e di! Do të thotë nuk kam ndonjë informatë që është bërë ndonjë presion apo ndonjë intimidim i tillë. Nuk e kam atë informatë dhe nuk e kam atë punë që ta kem atë informatë sepse unë jam ministër i Drejtësisë, ndërsa ata janë të pavarur. Por edhe nëse ekziston një gjë e tillë atëherë unë mendoj se ekzistojnë kanalet institucionale dhe juridike për të trajtuar një çështje të tillë. Publikimi i deklaratave që prodhojnë efekt politik nuk e ndihmon drejtësinë. Për më shumë mund ta dëmtojë proçesit.

A do të ketë ndryshime në ligjin për Gjykatën e Posaçme?

Ministri Selimi: Nuk e di! Mendoj që jo. Pasiqë ka pas disa iniciativa, apo deklarata. Por nuk ka pasur një iniciativë konkrete për t’u bërë një gjë e tillë. Edhe nëse bëhet një gjë e tillë kjo është pjesë e kuvendit, jo e ekzekutivit, pasiqë ekzekutivi nuk ka ndonjë iniciativë, as nismë legjislative që ta bëjë një ndryshim të tillë. Ne e kemi kushtetutën e cila specifikon nismat legjislative. Mund ta bëjë qeveria, mund ta bëjë kuvendi, mund ta bëjnë qytetarët me 11 mijë nënshkrime. Kështu që përsa i përket ekzekutivit, ekzekutivi nuk ka filluar një nismë të tillë. Unë mendoj që jo, por ekzistojnë edhe dy mënyra të tjera të nismave legjislative, e për to nuk kam informata.

Zoti Ministër, ju keni paralajmëruar se Kosova do të kishte pasoja nëse konfirmohen apo zyrtarizohen akuzat ndaj zotit Thaçi apo zotit Veseli. Për çfarë pasojash e keni fjalën?

Ministri Selimi: Unë kam thënë edhe publikisht, pasiqë kam qenë pjesë edhe e stafit të Kryeministrit Haradinaj, si shef i stafit të tij dhe e di që me dërgimin e ftesës tek Kryeministri Haradinaj dhe dhënies së dorëheqjes së Kryeministrit Haradinaj për të mos shkuar aty, për të mos shkuar në takime ndërkombëtare si person i cili është ftuar nga dhomat e specializuara, pasiqë megjithatë është dëmtuar pozicioni i Kryeministrit, kam reflektuar nga ajo përvojë që ngritja e aktakuzave do të thotë është një çështje mendoj reale dhe të gjithë e marrin si të tillë, ngritja e aktakuzave për një pozicion aktiv siç është Kryeministri, Presidenti, apo në këtë rast një deputeti ndikon në mbarëvajtjen e punës kushtetuese për çfarë janë thirrur ata. E di që kur i është dërguar ftesa z.Haradinaj, dhënia e dorëheqjes ka shkaktuar një krize politike, pasiqë që kemi shkuar në zgjedhje dhe i ka kushtuar shtetit. Pra ka pasur një vakum derisa është zgjedhur qeveria tjetër. Edhe ky vakum ndikon normalisht në mbarëvajtjen e punëve dhe aktiviteve qeveritare, çdo shkaktim i tejzgjatjeve lë pas kryerjen e punëve. Në këtë rast them që e njëjta reflektohet edhe në pozicione të tjera aktive siç është Presidenti, siç është deputeti i Kuvendit të Kosovës. Dhe ngritja e aktakuzave normalisht që e bën të brishtë punën Presidentit dhe deputetit. Brishtësia e kryerjes së asaj pune për shkak të ngritjes së aktakuzave apo të një deklarate të tillë, mendoj se i kushton superstrukturës organizative e institucionale të Republikës së Kosovës.

Çfarë prisni nga takimi i shtatorit në Uashington?

Ministri Selimi: Unë jam shumë pozitiv dhe jam shumë i lumtur që SHBA kthehen fuqishëm në tavolinën e dialogut. Ne deri tash kemi pasur takime në Bruksel. Takimet në Bruksel mund të them kanë qenë dekurajuese, së paku unë ashtu e kam parë kështu. Pasiqë ka ekzistuar mundësia e kthimit në dialog teknik. Dialogu teknik Kosovës nuk i ka dhënë asgjë. Përderisa ne kemi negociuar dhe kemi arritur marrëveshje në dialog teknik, ato marrëveshje i kemi ratifikuar në Kuvendin tonë, kemi bërë ndryshimet e nevojshme nga ato marrëveshje, Serbia nuk ka reciprokuar fare në reflektimin e tyre. Edhe BE-ja si arbitër dhe garantues i këtyre marrëveshjeve fatkeqsisht ka qenë i njëanshëm. Pasiqë Serbia ka vazhduar që t’i hapë kapitujt e vet dhe ka vazhduar të afrohet në rrugën e integrimit European, përderisa Kosova mbetet totalisht e izoluar. Mendoj që kjo disbalancë e palëve në tavolinën e dialogut i jep Kosovës një pozicion jo të favorshëm. Çdo rrëshqitje në dialogun teknik është e rrezikshme. Ne kemi kërkuar edhe gjatë kohës së qeverisë Haradinaj edhe tash që SHBA të kenë lidershipin, pasiqë Kosova ka vetëm këtë mbështetje, mbështjetjen e SHBA-së. Përderisa Serbia i luan dy karta, në këtë rast kartën e antarësimit në BE dhe kartën e ndikimit rus, është hipokrite nga ana e tyre që me këto dy karta të jenë të pozicionuar në tavolinë, në të cilën dialogu udhëhiqet nga dy persona që vijnë nga dy shtete të cilat nuk e njohin ekzistencën e shtetit tonë. Kjo e qet Kosovën si pol jo të barabartë në tavolinë. Në momentin kur SHBA-ja bëhet pjesë e kësaj tavoline dhe janë garantues të kësaj marrëveshjeje, Kosova ndjen siguri, për shkak se Kosova është projekt i përbashkët që nga intervenimi i NATOs e deri në shtet-ndërtimin tonë, pavarësimin tonë, edhe tash konsolidimin e institucioneve, është projekt i përbashkët dhe partnership i paparë me SHBA-në. Andaj garancia jonë e vetme që të kemi pozicion të barabartë në tavolinën e dialogut është që SHBA të jenë pjesë dhe të udhëheqë të njëjtin. Ne e dimë dhe nuk kemi alternativë tjetër dhe që antarësimi i Kosovës në BE është e vetmja alternativë. Ne nuk kemi zgjedhur rrugë tjetër. Ne kemi zgjedhur vetëm këtë rrugë. Ne nuk jemi hipokritë të luajtjes së dy kartave, siç luan Serbia edhe me kartën e Rusisë, por ne jemi rreshtuar, do të thotë rruga jonë është e parashikueshme. Dhe për shkak të kësaj parashikueshmërie, edhe për shkak të këtij pozicioni të qartë të Kosovës, që jemi për integrime Euro-Atlantike, ne nuk duhet ta pësojmë.

Mendoj se Kryeministri Hoti është i thirrur me kushtetutë, me vendimin e gjykatës kushtetuese që ti udhëheqë bisedimet. Kryeministri Hoti i udhëheq bisedimet për shkak se këtë ia kërkon Kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Bisedimet, do të thotë duhet të bëhen edhe me prezencën e BE-së, por është kruciale dhe ekzistenciale për neve që ta përmbyllim çështjen e bisedimeve vetëm me SHBA-në, që janë pjesë e këtij dialogu. Çdo minimizim i subjektivitetit tonë ndërkombëtar në tavolinën e dialogut neve na bën palë e cila është ë pakonsiderueshme.

A prisni rezultat konkret në takimin e shtatorit?

Ministri Selimi: Absolutisht po. Për shkak se me kyçjen e SHBA-së ne kemi pas dy marrrëveshje konkrete. Këto marrëveshje kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik. Kanë të bëjnë me zhvillimin e infrastrukturës dhe atë ajrore dhe mendojmë se në takime të tilla ku ndërtohet konfidenca e përfitimit të dy palëve të barabarta në tavolinë e rrit besimin që mund të arrihet marrëveshja përfundimtare, e cila çon në njohje reciproke në kufinjtë ekzistues.

Zoti Ministër, kryetari i partisë suaj zoti Ramush Haradinaj po kërkon posin e Presidentit, në të njëjtën kohë që ka diskutime për përfshirjen e Partisë Demokratike brenda koalicionit. Pse duhet që partitë e mëdha t’ia japin postin e Presidentit partisë suaj?

Ministri Selimi: Për shkak se Presidenti zgjidhet nga parlamenti dhe normalisht Kosova e ka një demokraci më vibrante. Pasiqë demokracia jonë është pluraliste. Në këtë demokraci vibrante dhe pluraliste kalkulacionet e qëndrueshmërisë ekzekutive apo të pushtetit varen nga akomidimi i kërkesave të këtij pluralizmi. Kërkesat e pluralizmit janë legjitime, pasiqë reflektojnë votën në kuvend. Ne mendojmë që si parti që i kemi 14 vota në Kuvend, na takon që prej tash ta kemi një parashikueshmëri të qëndrimit tonë, kurdo që të vijë koha e bisedimeve për President. Presidentit aktual i mbaron mandati në prill të vitit të ardhshëm dhe mendojmë që sipas Kushtetutës, një marrëveshje që e garanton zgjedhjen e Presidentit, do të ishte e mirë për Kosovën. Pasiqë nëse nuk zgjidhet Presidenti apo nuk ka kuorum të uljes së 2/3 Kushtetuta na çon në zgjedhje. Mendojmë që në këtë kohë pandemie e krize, ne nuk mund të shkojmë në zgjedhje, por duhet ta kemi një unitet. Për ta pasur këtë unitet, çdo parti politike është legjitime me pas kërkesat e veta me e reflektu votën. Kryeministri Haradinaj është mandatuar nga Këshilli Drejtues dhe Kryesia që t’i udhëheqë këto bisedime. Ne kemi pasur një pozicion të qartë që kërkesë e jona do të jetë posti i Presidentit pasiqë ne mendojmë që me këtë pozicion të qartë e të parashikueshëm, e jo ta lemë pjesë të negociatave të tavolinave e të kulareve, por ta qesim në publik.. Mendojmë që publiku është po aq i rëndësishëm të jetë pjesë e këtyre bisedimeve së paku me transparencë dhe informim. Ne i kemi tregu publikut që ne do ta kërkojmë, pozicioni ynë është ky. Është pjesë e negociatave. Pozicioni ynë është ky, për shkak se mendojmë se AAK ka rëndësinë e mjaftueshme për t’i ofruar stabilitet e qëndrueshmëri koalicionit, mjaftueshëm, për shkak se i kemi 14 vota dhe këto 14 vota reflektohen për të mbajtur një prej tre pozitave kushtetuese, që e kanë përshkrimin e punëve kushtetuese. Kryetari i Kuvendit momentalisht ështe zgjedhur, Kryetarja Vjosa Osmani, Kryeministri është i zgjedhur. Do të thotë atëherë kur Presidenti të tanishëm i mbaron mandati, apo para kalimit të atij mandati, ne duhet ta kemi një marrëveshje për President. Andaj ne mendojmë që na takon të kërkojmë njërën prej këtyre tre pozitave dhe që është pozita e Presidentit.

Është negociueshme apo e panegociueshme kërkesë juaj. Nëse nuk pranohet çfarë do të bëni?

Ministri Selimi: Kryeministri Haradinaj është mandatuar t’i udhëheqë këto negociata, nga Këshilli Drejtues dhe Kryesia. Strategjinë e negociatave e udhëheq ai. Ne nga fillimi e kemi paraqit pozicionin tonë. Negociata nuk kanë filluar ende. Kurdo që të fillojnë negociatat, Kryeministri Haradinaj është i thirrur që t’i udhëheqë të njëjtat.

Nisur nga situata politike në Kosovë, a shikoni mundësinë për një rikonfigurim të qeverisë?

Ministri Selimi: Rikonfigurimi i qeverisë është i mirëseardhur, për shkak se është pjesë e krijimit të unitetit. Unë mendoj se partitë opozitare duhet të jenë pjesë e kësaj qeverisje për shkak se jemi duke kaluar në disa sfida nacionale, siç është pandemia, siç është dialogu, siç është konsolidimi i disa çështjeve të tjera shtetërore, andaj një qeveri gjithëpërfshirëse do të garantonte stabilitet. Për shkak se kemi edhe marrëveshje ndërkombëtare që nevojiten 2/3 e votave. Tregimi i vullnetit nga partitë opozitare për të qenë pjesë e kësaj qeverie është mëse i mirëseardhur. Ne edhe kur kemi hy në këtë koalicion të udhëhequr nga LDK-ja si partneri më i madh, kemi kërkuar edhe nga PDK-ja edhe nga Vetëvendosja që të konsiderojnë hyrjen në këtë qeveri. Presim që tani me rikonfigurimin të ndodhë afrimi i të dyja partive, ose së paku i njërës parti opozitare që të jetë pjesë e qeverisë