Selimi fton Prokurorinë dhe Policinë të hetojë hyrjen e vaksinave anti-COVID nga Serbia në veri
Ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi, ka ftuar Prokurorinë e Kosovës bashkë me Policinë që të nisin hetimet lidhur me hyrjen e vaksinave kundër koronavirusit nga Serbia në veri të Kosovës.
“Ftoj Kryeprokurorin e Shtetit dhe U.D. Drejtorin e Policisë së Kosovës që të fillojnë hetimet për hyrjen e vaksinave ilegale në veri. Përtej obligimit tonë që të sigurojmë shëndetin e të gjithë qytetarëve tanë pa dallim etnie, Republika e Kosovës ka sistemin e prurjes së vaksinave përmes Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKShP-së. Çdo vaksinë ose medikament që hyn jashtë ketij sistemi mund të jetë ilegal dhe ta cenoj sigurinë kombëtare të Republikës”, shkroi Selimi në Facebook.
Selimi thotë se çdo qytetar i Kosovës është i barabartë, prandaj, ajo çka ndodhi me vaksina është kontrabandë dhe sipas tij, duhet hetuar.
“Ne nuk kemi ndarje të privilegjit se kush merr vaksinë më herët apo më vonë. Çdo qytetar i Republikës është i barabartë. Rrugët e kontrabandës duhet të hetohen dhe të mbrohet integriteti territorial. Ky sistem i kamufluar si çështje humanitare jep indikacion se ka rrugë të kontrabandës në veri. Këto rrugë duhet të mbyllen! Çështjet humanitare janë udhërrëfyes yni, por duhet të bëhen rrugëve zyrtare si dy shtete. Nuk kemi qytetar të kategorisë së parë ose të dytë. Të gjithë jemi kosovarë dhe si të tillë i obligohemi vetëm një Kushtetute e një ligji. Kemi sistem unitar të shtetit. Tendencat e Serbisë për ta rrezikuar këtë sistem, qoftë edhe në sistem shëndetësor, përbën cenim të integritetit tonë”, thotë Selimi.