Sami Salihu jep dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Kuvendit Komunal
Kryetari i Kuvendit Komunal në Preshevë Sami Salihu nëpërmjet një postimi në profilin e tij në FB ka njoftuar për dorëheqjen nga pozita e Kryetarit të Kuvendit, raporton Ministria e Lajmeve.
Në njoftimin e dorëheqjes, Salihu ka përmendur një sërë arsyetimesh, por si kryesorin, ai ka përmendur njëanshmërinë në vendimmarrje, të cilat sipas tij e zhvlerësojnë marrëveshjen dhe e bëjnë atë të padobishme.
Njoftimi i plotë i z.Salihu :
Njoftim për dorëheqje
Te nderuar kolegë, qytetarë, miq e dashamirë! Duke ju falenderuar, së pari për besimin dhe mbështetjen tuaj si edhe duke respektuar përpjekjet e përbashkëta por edhe ato të gjithësecilit në rrugën për një menaxhim sa më të mirë të pushtetit që populli na e ka besuar, me keqardhje ju njoftoj dorëheqjen time nga posti i Kryetarit te Kuvendit dhe daljen nga koalicioni.
Është një veprim që e ndërmarr pas një analize të gjatë të gjithë aktivitetit të deritanishëm në zbatim të marrëveshjes dhe angazhimit tim personal dhe te forcës politike që perfaqësoj. Një bashkëpunim apo marrëveshje, mund të funksionoj për sa kohë përpjekjet dhe kontributi i palëve është reciprok dhe proporcional.
Personalisht nuk mund të jem formalisht kryetar, pasi gjithë veprimtarinë politike e kam bazuar në ndihmesë aktive dhe të prekshme në cdo moment. Forca te cilën përfaqësoj, është po kaq aktive dhe bashkpunuese, pasi përmbledh rreth saj zërin më reformator dhe më vizionar të shoqëris sonë dhe si e tillë nuk mund të pranojë të jetë në skenën e pushtetit thjeshtë per te plotësuar numrat. Ky zë duhet te degjohet.
Njëanshmëria në vendimarrje dhe ekzekutiv, e zhvlerêsojnê marrëveshjen dhe e bëjnë atë të padobishme.
Ndaj, e ndjej si detyrë që me dorëheqjen time ti rikthej këtij kuvendi me një balancë numerike të brishtë, mundesinë që të rigjejë mënyrën për të funksionuar në rrugë sa më demokratike dhe gjithpërfshirëse.
Kjo dorëheqje nuk eshte dezertim nga angazhimi ynë para popullit, por përkundrazi është qendrim besnik ndaj premtimit për të qenë ne pushtet për popullin dhe jo thjeshtë numra për të garantuar pushtetin.
Duke ju uruar punë të mbarë dhe. Çdo të mirë!
Sami Salihu