Salihaj: Rugova gjithmonë thoshte se nuk duhet lejuar që Thaçi të bëhet kryeministër, sepse është i rrezikshëm
Presidenti aktual Hashim Thaçi, ndonëse kishte kritikuar dhe akuzuar gjithmonë ashpër Dr. Ibrahim Rugovën për shumë veprime të tij në sferën e politikës, tani i njëjti dhe me të njëjtën fytyrë, pas vdekjes së tij, i përkulet para varrit, gjoja në shenjë homazhi për ta përkujtuar veprën e tij.
Ish deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Adem Salihaj, ka thënë se përkulja e Thaçit para varrit të presidentit Rugova është thjeshtë hipokrizi, kjo për faktin se sa ishte gjallë presidenti, Thaçi çdo herë e fyente dhe e përçmonte tejmase.
Sipas tij, Presidenti Rugova ka pasur bindje shumë të keqe për Thaçin, pasi atë e konsideronte njeriun më të rrezikshëm për Kosovën.
“Gjithmonë thoshte se nuk duhet lejuar që Thaçi të bëhet kryeministër, sepse është i rrezikshëm. Koalicioni me AAK-në në vitin 2004 ishte bërë thjeshtë që të mos bëhej Thaçi kryeministër. Tash, pas 13 vjetësh nga vdekja e Presidentit Rugova, po shihet sa shumë kishte pasur të drejtë ai. Mjaft politikanë të Kosovës që përkulen para varrit të Presidentit Rugova, nuk e bëjnë këtë për ta treguar vërtetë një respekt ndaj jetës dhe veprës së tij, por për t’i mashtruar qytetaret e Kosovës, se gjoja ata e çmojnë veprën e Rugovës dhe po shkojnë gjurmëve të tij. Kështu veprojnë, sepse janë të vetëdijshëm se populli i Kosovës e çmon dhe adhuron presidentin Rugova. Një ditë të gjithë politikanët e Kosovës do të përkulen para madhështisë së Presidentit Rugova. Presidentin Rugova e çmojnë burrështetasit më të mëdhenj të botës, e kush janë këta politikanët e Kosovës, që nuk duhet të përkulen para varrit të tij. Dihet se disa ende nuk e kanë bërë, por edhe ata do ta bëjnë këtë një ditë”, ka thënë Salihaj.