Lajme

Sadriu: Qëndrimi i PDSH-së mbetet i njejtë, nuk marrim pjesë në zgjedhjet parlamentare të Serbisë!

Nënkryetari i PDSH-së në Preshevë, Ilir Sadriu deklaroi se PDSH edhe këtë herë nuk do të marrë pjesë e kjo për shkak se deputetët shqiptarë deri më tani nuk kanë arrit që ta përmirësojnë pozitën e shqiptarëve dhe as gjendjen.

Megjithatë Sadriu thotë se ditëve në vijim do të dilet me qëndrim nga partia për zgjedhjet parlamentare.

“Lidhur me pyetjen e bërë për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen vitin e ardhshëm në Serbi, qëndrimi i Partisë Demokratike Shqiptare tashmë e një kohë të gjatë ka qenë i qartë për mospjesëmarrje në këto zgjedhje dhe koha e dëshmoi se për Shqiptarët e Luginës së Preshevës këto zgjedhje nuk kanë prodhuar asnjë efekt pozitiv në përmirësimin e pozitës së tyre, përkundrazi sot gjendjen e kemi edhe me të vështirë, diskriminimi në të gjitha segmentet shoqërore përshkallëzohet edhe me shumë, pazhvillueshmëria enorme po ndikon që çdo ditë e më shumë shqiptarët të braktisin vatrat e tyre. Deri më tani pra, partitë shqiptare që janë përfaqësuar në parlamentin serb, Beogradi i ka shfrytëzuar që të promovohet drejt integrimeve evropiane me këtë përfaqësim, ndërsa lidhur me kërkesat që kanë parashtruar deputetët shqiptarë, sot nuk mund ta numërojnë asnjë rezultat që ka ndikuar në përmirësimin e pozitës së shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Megjithatë kryesia e Partisë Demokratike Shqiptare në mbledhjet e saj të ardhshme, do të trajtojë këtë temë dhe do ta dal me qëndrim edhe për këto zgjedhje të radhës që priten të mbahen vitin e ardhshëm” , tha nënkryetari i PDSH-së, Ilir Sadriu.