Lajme

Rusia thotë se është në alarm pasi SHBA-ja po armatos hapur ushtrinë e Kosovës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë të vazhdueshme janë duke përkrahur ushtrinë e Kosovës. Vetëm në ditët e fundit Forcës së Sigurisë së Kosovës i kanë mbërritur mjete të blinduara ushtarake të tipit ‘Humvee’.

Për një gjë të tillë sot ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë, duke thënë se Amerika po e furnizon hapur Kosovën me armatim dhe mjete ushtarake, gjë që sipas tyre dëmton përpjekjet për paqe dhe stabilitet në Ballkan.

“Ne kemi vërejtur, me shqetësim dhe alarm, informacionet rreth dërgimit të armëve dhe mjeteve ushtarake nga SHBA’të në Prishtinë. Amerika po e bën një gjë të tillë hapur, në dëm të përpjekjeve ndërkombëtare për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në Ballkan”, ka thënë zëvendës drejtori i departamentit të informacionit në MPJ-në ruse, Alexey Zaytsev, raporton Gazeta Express.

Tutje ai ka thënë se synimi i Washingtonit është që të ndihmojë kosovarët që të krijojnë ushtrinë e tyre.

Sipas MPJ’së së Rusisë një gjë e tillë është shkelje e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit që sipas tyre parasheh çarmatosjen e çdo njësie të armatosur në Kosovë.