BotaKryesore

Rusia paralajmëron për mundësinë e luftës pas sulmeve mbi fabrikat e naftës

Shefi i shërbimit të inteligjencës ruse sot paralajmëroi për një skenar të mundshëm lufte, pas sulmeve të telekomanduara në dy fabrika saudite të kompanisë shtetërore të naftës, Aramco.

“Kërcënimi për skenarin e luftës sigurisht ekziston. Por shpresoj për një zgjidhje paqësore”, u tha Sergey Naryshkin gazetarëve në Moskë.

Të Shtunën, sulmet me dronë u kryen në dy fabrika të naftës së Aramco.

Pas incidentit, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se Irani qëndron prapa sulmit duke koordinuar sulmet me dronë, si dhe mediat amerikane që raportuan se opsionet e luftës janë diskutuar në Shtëpinë e Bardhë.

Të hënën, rebelët Houthi në Jemen morën përgjegjësinë për sulmin dhe paralajmëruan kompanitë e huaja dhe punëtorët që mos të afroheshin pranë njësive të kompanisë të cilat “mund të shënjestrohen përsëri”.

Në një deklaratë të veçantë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Moska po shqyrton ndikimin e mundshëm të incidentit si në tregjet e naftës ashtu edhe në sigurinë ndërkombëtare.

“Nuk ka asnjë informacion të besueshëm deri më tani, prandaj, koha është e nevojshme për analizë,” tha Peskov.