Lajme

“Rusia dëshiron luftë në Ballkanin Perëndimor, ne nuk do ta lejojmë”

I kujtoj luftrat në ish- Jugosllavi, vitet e luftimeve dhe vrasjeve që lanë vraga tek brezat e njerëzve në secilën nga palët ndërluftuese. Më keq akoma, njerëzit që janë shume më të rinj se unë, njerëzit në këtë rajon, jetojnë ende me trashëgiminë e tmerrshme të këtyre luftërave: urrejtjen, një ekonomi të shkatërruar dhe një të ardhme të pasigurtë”.

Kështu tha emisari special i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, në një intervistë për një nga gazetat kryesore të përditshme kroate, Vecernji list, kur ka folur për mundësinë e një konflikti të armatosur dhe përpjekjet e mbështetura nga Rusia për të destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Prandaj, tha Peach, për hir të gjeneratave të reja, Perëndimi së bashku me politikanët e rajonit duhet të bëjnë gjithçka në fuqinë e tyre për të parandaluar një përsëritje të mundshme të konfliktit të armatosur në këtë pjesë të Evropës.

“Kur them ‘ne’, kjo është në radhë të parë një detyrë e politikanëve vendas, të cilët duhet të refuzojnë nacionalizmin shkatërrues, të ngrihen mbi interesat e njëanshme dhe t’i drejtojnë politikat e tyre drejt arritjes së rezultateve për qytetarët e vendeve të tyre”, tha ai.

Ai tha se vizitat e shpeshta në Ballkan muajt e fundit në Kosovë, Serbi dhe Kroaci, kanë për qëllim demostrimin se Britania e Madhe dhe aleatët e saj, ndajnë një angazhim të palëkundur për sigurinë dhe përparimin rajonit.

“Ne e dimë se Rusia po përpiqet të shtrijë ndikimin e saj keqdashës në Ballkanin Perëndimor, por Perëndimi është i bashkuar në kundërshtimin e agresionit të Rusisë në Ukrainë dhe përpjekjeve të saj për të destabilizuar rajone të tjera”, theksoi diplomati.

Ndërsa rreziku i konfliktit të armatosur nuk duhet nënvlerësuar, vëri në pah ai, rajoni dhe komuniteti ndërkombëtar janë në një pozitë shumë më të ndryshme, shumë më të mirë se 30 vjet më parë.