Rusia dërgon sisteme raketash në Serbi
Eshtë fjala për sistemin e mbrojtjes kundërajrore S-400 dhe raketat e lëvizsshme për mbrojtjen nga ajri të tipit Panzir. Sikurse njoftoi Ministria ruse e Mbrojtjes, këto sisteme vihen në provë për herë të parë gjatë një manovre jashtë Rusisë. Sistemet duhet të instalohen në bazën ushtarake Batajnica në afërsi të Beogradit.
Ushtarët rusë dhe serbë deri më 29 tetor kanë zhvilluar manovra të përbashkëta stërvitore në Ballkan. Ky është vazhdimi i një stërvitjeje me emërtimin “Tabela mbrojtëse sllave-2019”, që nisi në shtator në rajonin jugor të Rusisë Astrachan.
Në këtë manovër do të simulohen aksionet e një grupi të përbashkët luftarak për mbrojtjen kundër masave armiqësore të zbulimit dhe ofensivës, sikurse deklaroi Ministria serbe e Mbrojtjes. Ushtria serbe bazohet në një teknologji armatimesh sovjetike. Vitet e shkuara këtij arsenali i janë shtuar edhe avionë luftarakë MiG-29 si dhe helikopterë, tanke e automjete të blinduara nga Rusia.
Ndonëse Serbia përpiqet për antarësimin në BE, ajo vazhdon t’i ruajë marrëdhëniet tradicionalisht të ngushta me Rusinë, që e konsideron si “vëllain e madh ortodoks”. Për Moskën Serbia është aleati më i rëndësishëm në Ballkan. Ndër të tjera edhe sa i përket çështjes së Kosovës qeveria në Beograd mbështetet tek Rusia.
Dy sistemet e armatimit S-400 dhe Panzir, të mbërritura në Ballkan, Rusia i përdor edhe në luftën e Sirisë. Së fundi Turqia, anëtare e NATO-s, e bleu sistemin e mbrojtjes nga ajri S-400 duke ngjallur kritikë të ashpër në aleancë. Kjo blerje nuk është e parashikuar në statutet e aleancës. Pavarësisht protestës Ankaraja, sipas të dhënave të Moskës, po negocion për blerjen e sistemeve të reja të armatimeve. .