Lajme

Rusi – SHBA akuza ndaj njëra tjetrës për protestat në Serbi

Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hedhur akuza ndaj njëra-tjetrës për protestat që kanë shpërthyer në Serbi që kur përfunduan zgjedhjet, të cilat i fitoni bindshëm partia e presidentit Aleksandar Vuçiq.

Ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Bochan-Kharchenko ka thënë se protestat në Serbi mund të intensifikohen dhe të bëhen të dhunshme gjatë festave të Vitit të Ri dhe Krishtlindjeve.

“Protestat nuk kanë mbaruar. Ato do të vazhdojnë. Festat e Vitit të Ri dhe Krishtlindjeve janë një periudhë shumë e rrezikshme”, ka thënë Bochan-Kharchenko për mediat ruse mbrëmë vonë.

Sipas tij, një situatë e tillë “mund të përdoret për intensifikimin e protestave dhe rikthimin e dhunës”. Ai fajëson Perëndimin që qëndron pas kësaj situate.

E këtyre deklarimeve iu kundërpërgjigj të premten ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, i cili ka thënë se i sheh si “qesharake” pretendimet e zyrtarëve rusë se Perëndimi po inkurajon një “revolucion me ngjyrë” ose “Maidan” në Serbi.

Hill ka thënë se për SHBA-në zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi kanë treguar mangësi të cilat duhet zgjidhur.

Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë OSBE-në, është i gatshëm të ndihmojë. Por përparimi demokratik i Serbisë në fund të fundit varet nga qytetarët e saj. I vetmi aktor ndërkombëtar që pengon rrugën e përparimit është Rusia – as Amerika, as Evropa, as dikush tjetër në Perëndim”, ka thënë ambasadori.

Sipas Hillit, Rusisë i kanë mbetur pak miq, veçanërisht në Evropë, dhe se për këtë arsye vendosi të përdorë zgjedhjet në Serbi “në një përpjekje të dëshpëruar për të mbetur relevante”, si dhe në përpjekje për të krijuar “përçarje midis Serbisë dhe partnerëve euroatlantikë”.

“Gjithçka që i ofrojnë Serbisë është jostabiliteti dhe e kundërta e progresit”, ka thënë ambasadori amerikan, duke aluduar në Rusinë.

Opozita në Serbi ka vazhduar me protesta, duke kërkuar anulimin e zgjedhjeve, të cilat sipas tyre, kanë qenë të vjedhura. Disa ditë më herët, pati intensifikim të dhunës. U thyen dritaret e ndërtesës së Kuvendit të Serbisë.