Rikthehet ora policore në Kosovë , kalimi në kufi vetëm me test ose vaksinim
Qeveria e Kosovës të shtunën, më 28 gusht, ka ashpërsuar masat kundër koronavirusit, pasi tha që situata epidemiologjike në vend është rënduar.
Masat pritet të hyjnë në fuqi të dielën, pas publikimit të vendimit dhe do të jenë në fuqi deri më 13 shtator.
Qeveria vendosi që viti i ri shkollor të nisë më 13 shtator. Sipas ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia kjo grupmoshë së fundmi është bërë edhe shpërndarës i virusit.
Sipas ministrit Vitia, situata epidemiologjike në javët e fundit ka qenë e rëndë.
“Situata paraqet një ngritje enorme të rasteve të infektimit me COVID-19”, tha Vitia.
Në masat e reja përfshihet kufizimi i lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00 deri në ora 05:00.
Orari i sektorit të gastronomisë është reduktuar për një orë dhe ky sektor tashmë do të mund të punojë deri në ora 21:30 dhe do të lejohet të punojë vetëm në hapësira të jashtme.
Institucionet publike dhe private janë të obliguara të punojnë vetëm me staf esencial deri më 13 shtator. Pas kësaj date, punëtorët e sektorit publik duhet të dëshmojnë certifikatën e vaksinimit apo testet përkatëse që t’iu lejohet hyrja në vendet e punës.
“Kjo masë gradualisht do të përfshijë edhe sfera të tjera të jetës ekonomike dhe sociale”, tha Vitia.
Po ashtu, të gjith personat që do të hyjnë në Kosovë, pavarësisht shtetësisë, duhet të ofrojnë dëshmi për vaksinim apo teste PCR dhe antigen ose në të kundërtën duhet të izolohen për shtatë ditë.