Lajme

Richard Grenell nderohet në Serbi nga presidenti Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ia ka dorëzuar ish-emisarit të SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, Urdhrin e flamurit serb, për “shërbime të dalluara në zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit paqësor dhe të marrëdhënieve mes Serbisë dhe SHBA-së”.

Vuçiqi tha se Grenelli, “për të cilin mund të thuhet se është mik i vërtetë i Serbisë, por edhe i gjithë rajonit, në një kohë të shkurtër pati një ndikim të rëndësishëm në marrëdhëniet mes Serbisë dhe SHBA-së”.

“Roli i Richard Grenellit jo vetëm që kontribuoi në paqen dhe stabilitetin rajonal, por gjithashtu luajti rol thelbësor në përmirësimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe SHBA-së. Mandati i tij si njeri për dialog tregoi mprehtësinë e tij, por edhe aftësinë e tij diplomatike dhe mbi të gjitha gatishmërinë për t’i dëgjuar pikëpamjet e palës tjetër, edhe pse nuk ishte gjithmonë dakord. Ai tregoi diçka që pothuajse nuk kemi mundur të shohim në bashkësinë ndërkombëtare – objektivitet, ndershmrëi intelektuale e politike dhe konsistencë”, tha Vuçiq.