Të fundit

Rexhepi i drejtohet BE-së: Lugina e Preshevës nuk duhet të anashkalohet në vizitat zyrtare!

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, i është drejtuar zyrtarisht Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, duke shprehur shqetësimin për mospërfshirjen e Luginës së Preshevës në agjendën e vizitës së Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, gjatë qëndrimit të saj në rajon javën e kaluar.

Sipas Rexhepit, mospërfillja institucionale e një rajoni me shumicë shqiptare, ku çdo ditë dokumentohen shkelje të të drejtave të njeriut, përbën një gabim serioz politik dhe moral nga ana e përfaqësuesve të lartë të BE-së.

Pasivizimi i adresave, një praktikë e raportuar nga vetë Këshilli i Evropës dhe Parlamenti Evropian, ka lënë mijëra shqiptarë pa të drejtë vote, pa qasje në shërbime publike dhe jashtë jetës institucionale – thuajse janë fshirë administrativisht,” thekson kreu i KKSH.

Rexhepi gjithashtu ngriti çështjen e vizitave të njëanshme në veri të Kosovës, ku zyrtarët evropianë dëgjojnë zërin e komunitetit serb, ndërsa shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës vazhdojnë të injorohen sistematikisht.

Trajtimi i pakicave nuk mund të jetë selektiv. Të drejtat e njeriut janë universale dhe nuk mund të zbatohen me standarde të dyfishta”, theksoi ai, duke kërkuar që Lugina e Preshevës të përfshihet në agjendat dhe vizitat zyrtare të BE-së, si rajon që përballet përditë me diskriminim institucional.

Këshilli Kombëtar Shqiptar, sipas Rexhepit, do të vazhdojë angazhimin për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve shqiptarë në Luginë dhe për të kërkuar përfaqësim të barabartë në të gjitha proceset vendimmarrëse dhe ndërkombëtare./folonline