Të fundit

Rexhepi: “Departamenti i Bujanocit nuk ka nevojë për analizë por për vendimmarrje”

Në takimin e radhës të Komitetit të Palëve të Interesit, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, dha një nga deklaratat më të drejtpërdrejta dhe më kritike ndaj institucioneve shtetërore lidhur me gjendjen e Departamentit të Bujanocit.

Rexhepi theksoi se situata ka arritur një pikë ku “përgjegjësia institucionale kërkon të thuhet hapur se proceset nuk po japin rezultat”. Ai rikujtoi se që prej vitit 2018 ka marrë pjesë rregullisht në këto takime, ku çdo vit është folur për zhvillim e perspektivë, por realiteti vetëm është përkeqësuar.

“Numri i studentëve ka rënë ndjeshëm, besimi i publikut është dobësuar dhe perspektiva akademike është ngushtuar deri në pikën ku sot nuk po flasim më për zhvillim, por për mbijetesë,” deklaroi ai. Sipas Rexhepit, nëse trendi vazhdon, Departamenti rrezikon të shuhet plotësisht.

Ai theksoi tre problemet kryesore që kanë çuar në këtë situatë:

Mesazhi i pasigurt institucional, që ka ndikuar drejtpërdrejt në uljen drastike të numrit të studentëve. Mospërfshirja e stafit akademik shqiptar, që mbetet problem i pazgjidhur dhe minon besimin e komunitetit lokal. Financimi i pamjaftueshëm shtetëror, i cili ka lënë Departamentin pa stabilitet dhe pa mundësi planifikimi afatgjatë.

“Shteti, përmes mosveprimit të vazhdueshëm, nuk po e trajton këtë Departament si prioritet institucional,” u shpreh Rexhepi, duke nënvizuar se partnerët ndërkombëtarë, sado të rëndësishëm, nuk mund të zëvendësojnë përgjegjësinë e shtetit ndaj arsimit të lartë publik në një mjedis shumetnik.

Ai apeloi që faza e analizave dhe dokumenteve të paimplementuara të përfundojë:

“Sot kërkohet vendimmarrje. Jo dokumente të reja pa zbatim, por angazhim konkret dhe afatgjatë.”

Rexhepi paralajmëroi se vazhdimi i diskursit për zhvillim ndërkohë që realiteti shkon drejt zhdukjes së institucionit është jo vetëm i pasinqertë, por edhe i dëmshëm për institucionin, për komunitetin dhe për standardet e barazisë që deklarohen publikisht.

Në përfundim, ai kërkoi që shteti të marrë përgjegjësinë e vet dhe të ndërhyjë me politika të qarta, të qëndrueshme dhe të menjëhershme për të garantuar mbijetesën dhe të ardhmen e Departamentit të Bujanocit.