Reuters për draftin e ri: Marrëveshja finale Kosovë-Serbi, në më pak se një vit
Bashkimi Evropian ka draftuar një propozim për normalizim raportesh në mes të Kosovës dhe Serbisë, me një afat të qartë të veprimeve, sipas një diplomati të lartë të BE-së, që ka folur për agjencinë e lajmeve “Reuters” në margjina të Samitit BE-Ballkani Perëndimor të mbajtur të martën në Tiranë. Draftpropozimi, sipas diplomatit, shpalos pritjet që palët të arrijnë marrëveshje finale për më pak se një vit.
“Ka shumë gjëra që e bëjnë këtë hap të madh para sa i përket situatës aktuale… s’është njohje e plotë… por normalizim i plotë i marrëdhënieve”, ka thënë diplomati në kushte anonimiteti.
Siç shkruan “Reuters”, marrëveshja finale me Kosovën mbetet parakusht për Serbinë që t’i bashkohet BE-së.
Pasi kemi dëgjuar dy palët, kemi ridraftuar propozimin”, ka thënë diplomati.
Propozimi përmban edhe një aneks “me kalendar të qartë veprimesh – kur dhe si duhet të bëhen gjërat”, ka thënë diplomati.
Diplomati ka thënë se Kosova dhe Serbia “duhet të vazhdojnë angazhimin konstruktiv e të fokusohen në progres të pakthyeshëm drejt normalizimit”.
Shefi i politikës së jashtme i BE-së, Josep Borrell, ka konfirmuar në këtë samit se Kosovës dhe Serbisë u është dorëzuar drafti i ri i propozimit, bazuar në planin e njohur si “franko-gjerman”.