Lajme

REL: Raportohet se është anuluar vizita e Lavrovit në Serbi

Është anuluar vizita e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov në Serbi, pasi shtetet fqinje kanë mbyllur hapësirat ajrore për aeroplanin e tij, ka thënë një zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme ruse për agjencinë e lajmeve Interfax, transmeton Reuters.

Ky burim ka konfirmuar raportimet e mediave në Serbi, të cilat kanë thënë se Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, kanë mbyllur hapësirat ajrore për aeroplanin që do të bartte kryediplomatin rus në Beograd të hënën.

Ministria e Punëve të Jashtme në Shkup ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë të dielën se Maqedonia e Veriut ka refuzuar kërkesën e Ambasadës së Federatës Ruse për shfrytëzimin e hapësirës ajrore të këtij shteti për fluturimin e avionit të ministrit të Jashtëm rus, i cili ka paralajmëruar se do të vizitojë Beogradin të hënën.

Kërkesa e Ambasadës Ruse është bërë pavarësisht se Maqedonia e Veriut më 28 shkurt ka vendosur sanksione ajrore ndaj Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt.

Serbia, vend që ka lidhje të ngushta kulturore me Rusinë, e ka përballuar presionin për të marrë qëndrimin për luftën e Rusisë në Ukrainë dhe nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër Moskës.

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq janë pajtuar muajin e kaluar që Rusia të vazhdojë të dërgojë gaz natyror në Serbi, derisa disa shteteve u është bllokuar furnizimi për shkak se kanë refuzuar të paguajnë në rubla ruse./REL