LajmeTë fundit

Reduktohet numri i nxënësve në shkollën e mesme në Bujanoc, zvogëlohet edhe personeli

Në shkollën e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc numri i nxënësve të regjistruar për vitin shkollor 2019/2020 është 211 nxënës nga 238 sa kishte vitin e kaluar ndërsa edhe këtë vit ka tepricë teknologjike në personelin arsimorë.

Drejtori i këtij institucioni, Zejni Fejzullahu për Titulli.com tha se vetëm në drejtimin e gjimnazit janë të regjistruar 90 nxënës në tre paralale.

“Në drejtimin e ekonomisë janë regjistruar 30 nxënës në 1 paralele, në mjekësi 30 nxënës në 1 paralele, në elektroteknikë 30 nxënës në 1 paralele, në drejtimin e makinerisë 7 nxënës. Të gjithë me shkallë të katërt”, theksoi Fejzullahu.

Sipas tij në drejtime me shkallë të tretë janë vetëm 1 paralele, shkruan Titulli.com.

“Me shkallë të tretë kemi një paralele me dy drejtime, automekanik dhe axhustator. Janë regjistruar 24 nxënës”, u shpreh drejtori Fejzullahu.

Ai tha se vende të lira për afatin e gushtit ka në drejtimet e makinerisë me shkallë të katërt 23 vende dhe makineri me shkallë të tretë 6 vende.

Fejzullahu theksoi gjithashtu se është shqetësues fakti se për shkak të numrit të vogël të nxënësve të regjistruar ka edhe tepricë teknologjike të personelit.

“Tepricë teknologjike kemi në lëndët në gjuhën angleze, gjuhën frënge, fizikë, biologji, histori, edukatë fizike, në drejtimin e ekonomisë dhe të makinerisë”, deklaroi Zejni Fejzullahu.

Fejzullahu lidhur më këtë u shpreh se presin plotësimin e vendeve të lira të regjistrimit të nxënësve në afatin e gushtit.

Në shkollën e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc për vitin shkollorë 2018/2019 vijojnë mësimin gjithsejtë në gjuhën shqipe 960 nxënës dhe të punësuar 148 punëtorë të proflit arsimorë, administrativ dhe mirëmbajtës./