Reagon Sinani dhe Rexhepi ndaj dhunës policore drejt lojtarëve të KF “Tërnocit”
Pas raportimit për përdorimine dhunës nga ana e policisë drejt futbollistëve të Tërnocit në Bosiligrad, ka reaguar kryetarja e komunës së Preshevës Ardita Sinani dhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptarë, Enkel Rexhepi
Reagimi i Ardita Sinanit
Fjalori “shqiptar” e më pas “kriminelët e Tërnocit” po gjeneron dhe justifikon dhunë ndaj futbollistëve tanë
Me shqetësim të thellë kemi pranuar informacionin për ngjarjen e rëndë që ka ndodhur pas përfundimit të ndeshjes futbollistike mes KF Mlladost dhe KF Tërnoci në Bosilegrad, ku futbollistët e ekipit tonë janë përballur me bastisje, trajtim të ashpër dhe dhunë nga ana e policisë.
Futbolli duhet të jetë hapësirë garimi të ndershëm, mirëkuptimi dhe respekti mes ekipeve, e jo terren i urrejtjes dhe diskriminimit. Bastisja e zhveshtores dhe përdorimi i forcës ndaj sportistëve të rinj nuk janë vetëm veprime të papranueshme, por tregues të një klime të rrezikshme që po nxit tensione etnike përmes fjalorit denigrues dhe stigmatizues.
Kur ofendime si “shqiptar” në kontekst përçmues dhe etiketime si “kriminelët e Tërnocit” përdoren hapur dhe pa pasoja, atëherë kemi të bëjmë me një sistem që jo vetëm toleron, por edhe ushqen dhunën ndaj të rinjve tanë.
Shpreh solidaritet të plotë me futbollistët e KF Tërnoci, familjet e tyre dhe të gjithë ata që sot janë ndjerë të cënuar në dinjitetin e tyre. Kërkoj nga institucionet përgjegjëse një hetim të plotë, të pavarur dhe të menjëhershëm mbi këtë incident, si dhe vënien para përgjegjësisë të të gjithë zyrtarëve të përfshirë.
Lugina e Preshevës nuk do të heshtë përballë padrejtësive. Do të qëndrojmë gjithmonë në mbrojtje të qytetarëve tanë, të rinjve tanë dhe të çdo vlere që synon të mbrojë lirinë, barazinë dhe dinjitetin njerëzor.
Reagimi i Enkel Rexhepit
Shprehim shqetësimin më të thellë për ngjarjen e rëndë që ka ndodhur sot pas përfundimit të ndeshjes futbollistike në Bosilegrad, ku, sipas informacioneve të konfirmuara, ndaj fustbollistëve të klubit shqiptar pasi është ushtruar dhunë në fushë, policia është futur edhe në zhveshtoret e futbollistëve, duke i trajtuar ata si kriminel e jo si sportist.
Kam kontaktuar me drejtuesit e KF Tërnocit, ku kam shprehur gatishmërinë për t’iu qëndruar pranë futbollistëve, të cilët ndodhen në stacionin policor në Bosilegrad. Si Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, jam në dispozicion të tyre për çdo mbështetje institucionale.
Ngjarja e sotme, ku sipas informacioneve të marra nga drejtuesit dhe mediat, policia jo vetëm që ka ndërhyrë në zhveshtore por edhe ka ushtruar dhunë ndaj një futbollisti shqiptar, është krejtësisht e papranueshme. Institucioni që duhet të kujdesej për sigurinë e tyre nuk mund të jetë pjesë e dhunës ndaj tyre.
Ky akt nuk duhet të kaloj pa përgjegjësi institucionale!!!