LajmeTë fundit

Reagon Pacolli për bllokimin e furrës së shqiptarëve në Beograd: Fashizëm paramilitar e kriminal

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, pas bllokimit të punës në një furrë në pronësi të një shqiptari në Beograd, ka pohuar se në raport me realizimin e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në këtë vend, Serbia ka karakteristika të kombinuara të regjimeve kriminale, shteteve të dështuara dhe regjimeve totalitare.

“Sot serbet në Beograd kanë bllokuar punën e një furre pronë e një shqiptari. Në raport me realizimin e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në këtë vend, Serbia ka karakteristika të kombinuara të regjimeve kriminale, shteteve të dështuara, dhe regjimeve totalitare”, ka thënë Pacolli.

“Mentaliteti i tillë paraqet një ndërthurje të fashizmit nën petkun paramilitar dhe bandave kriminale bashkë. Demokracia nuk vlen për jo serbet në këtë vend, dhe nuk e kuptoj pse synojnë t’i bashkohen BE-së!”, ka shtuar ai më tej.

Portali Koha.net raportoi më parë se një grumbull serbësh, pasditen e së shtunës kanë bllokuar një furrë, pronë e shqiptarëve në Borçë të Beogradit.

Me letra që mbajnë hartën e Kosovës nën flamurin serb është mbushur vitrina e këtij lokale, në pjesën e saj të jashtme.