Reagon Merkel pas skandalit në Austri: Mos votoni parti të ekstremit të djathtë
Kancelarja gjermane Angela Merkel ka folur, pasi kancelari austriak ka dhënë dorëheqjen dhe vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme. Merkel u shpreh se skandali dëfton se çfarë bëjnë realisht partitë e ekstremit të djathtë në Europë, kurse ajo shton se europianët duhet të mos votojnë të tilla parti politike.Merkel këto komente i bëri kur u pyet rreth skandalit që përfshiu partinë austriake të ekstremit të djathtë, Partia e Lirisë, lideri i së cilës Heinz-Christian Strache dha dorëheqje të shtunën nga posti i Zëvendës-kancelarit, pasi një video ku ai shihej teksa ofronte kontrata shtetërore në këmbim të mbështetjes politike doli në publik.
“Na duhet të merremi me lëvizje populiste të cilat në shumë fusha janë përçmuese të këtyre vlerave, që dëshirojnë të shkatërrojnë Evropën e vlerave tona. Ne duhet të kundërshtojmë këtë në formë të prerë”, tha Merkel.
Angela Merkel ia ka lënë në dorë fushatën Manfred Weberit, kryekandidati konservator në zgjedhjet e 23-26 majit. Weber, që gjithashtu foli në Zagreb, tha se skandali austriak ka arsyetuar qëllimin e tij që të mos mbështetet në votat e partive të ekstremit të djathtë në garën e tij për president të Komisionit të BE-së. “E djathta ekstreme dhe populistët janë të gatshëm të shesin patriotizmin e tyre dhe vlerat e vendit të tyre për përfitime tjera”, tha ai, duke iu referuar aferës austriake.