Reagojnë Devollët, e shënjestrojnë vetëm Albin Kurtin
Kompania Z-Mobile, për të cilën u tha sot në Kuvend se është dëmi më i madh që i është bërë Telekomit, ka dalë me një komunikatë pas seancës së jashtëzakonshme. Aty akuzojnë liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, se po shpif për Z-Mobile’in dhe po frikëson investitorët e huaj.
Në Kuvendin e Kosovës, sot Devollët ishin më të përmendurit, ndonëse seanca ishte thirrur për gjendjen në Telekom. Për kontratën e nënshkruar 10 vjet më parë me Z-Mobile’in, thuhej nga deputetët se ajo e shkatërroi kompaninë publike, ku Devollët kanë përfituar miliona.
Në kumtesën e kompanisë në pronësi të biznesmenit Blerim Devolli target është Kurti dhe deklaratat e tij për veprimtarinë e dy biznesmenëve nga Peja.
Aty thuhet se kanë pritur që seanca e sotshme parlamentare të shfrytëzohej për të gjetur një zgjidhje për të ndihmuar ndërmarrjen publike “Telekomi i Kosovës”.
“Por, jemi të habitur se si disa politikanë e shfrytëzuan për të hedhur baltë mbi kompaninë tonë, ‘Z-Mobile’. Është hera e dytë që njëri prej politikanëve, kryetari i VV-së z. Albin Kurti, shfrytëzon foltoren e Kuvendit të Kosovës për të spekuluar kundër kompanisë sonë. Është hera e dytë që ai fshihet prapa imunitetit të deputetit për të pamundësuar subjektet që janë viktimë e tij që ta padisin”, thotë kjo kompani.
Sipas Z-Mobile përbëjnë shpifje deklaratat e Kurtit se kjo kompani ka pretendime që ta përvetësojë “Telekomin e Kosovës” dhe se kontrata mes palëve përbën krim të organizuar.
“Kompania “Z-Mobile”, ka pretendime të marrë vetëm atë që i takon: Zbatimin e kontratës së lidhur mes palëve. Këtë të drejtë ligjor i ka dhënë edhe Gjykata Ndërkombtare e Arbitrazhit në Londër. Është e palogjikshme që për një kompani private, e cila nuk po arrin të gëzojë të drejtën e vetë ligjore për shkak të papërgjegjësisë së menaxhmentit të ;Telekomit të Kosovës’, të thuhet për të se ka synime që ta përvetësojë tërë ndërmarrjen publike”, thuhet në komunikatë. “Nëse ne do ta kishim këtë fuqi, atëherë do të zgjateshin me vite lutjet tona drejtuar menaxhmentit të Telekomit të Kosovës për ta zbatuar kontratën mes nesh”.
Z-Mobile thotë se kjo gjuhë e përdorur kundër saj “përveç që është shpifje është edhe dashakeqëse”.
“Tenton që të njollosë një kompani private që është një prej punëdhënëse më të mëdhenj në Kosovë dhe një prej prodhuesve më të mëdhenj vendor.
Gjuha që përdorë Kurti kundër sektorit privat është frikësuese. Fakti që ai linçon një kompani private, të cilës i është dhënë të drejtë nga një gjykatë ndërkombëtare, krijon situatë frikësuese për investitorët e huaj që janë të pranishëm apo synojnë që të vijnë në Kosovë”, thuhet në komunikatë.