Rama porositë e fundit para 30 qershorit: Fushatën e mbyllim në Vlorë. Garantoni proces zgjedhor me standarde
Sa i përket garantimit dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, kryesocialisti ka kërkuar të respektohet Kodi Zgjedhor, ndërsa sa i përket tentativave nga opozita joparlamentare për të penguar procesin, ka kujtuar edhe një herë ndëshkimet ligjore që ndërmerren. Ndërkohë në orën 11:00 në selinë e PD-së pritet të mbërrje kryesuesja e misionit të ODIHR për zgjedhjet, Glover.
Mëngjesi i kësaj të hëne ka nisur me një mbledhje të kryesisë së Partisë Socialiste në selinë rozë. Nga sa mësohet mbi atë se çfarë është diskutuar në takimin pa prani të medias, kreu i qeverisë, njëherazi kryesocialisti Rama, ka lënë porosi për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, që sipas tij nuk ka asnjë dyshim se më 30 qershor do të ketë votime. Kur na ndajnë vetëm 6 ditë nga mbajtja e votimeve, kryeministri ka vendosur që mitingu përmbyllës i fushatës elektorale të mbahet në qytetin e Vlorës, bastionin e PS-së, ku vetë Rama është deputet.
“Më 30 qershor të kemi një proces me standarde”, mësohet t ëjetë shprehur Rama në mbledhjen e kryesisë.
Sa i përket garantimit dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, kryesocialisti ka kërkuar të respektohet Kodi Zgjedhor, ndërsa sa i përket tentativave nga opozita joparlamentare për të penguar procesin, ka kujtuar edhe një herë ndëshkimet ligjore që ndërmerren: Burg, përjashtim nga administrata dhe ndalim deri në 10 vjet për të dalë jashtë Shqipërie, në SHBA dhe vendet e BE-së, siç Rama paralajmëroi dje nga takimi elektoral në Gjirokastër. Këto janë ndryshime në Kodin Penal që ende nuk kanë marrë votën e Kuvendit.
“Të jemi korrekt me procesin e administrimit zgjedhor. Të respektohet Kodi Zgjedhor. Kush prek votën dhe manipulon votën, do përgjigjet para ligjit”, tha Rama.
Ndërkohë në orën 11:00 në selinë e PD-së pritet të mbërrje kryesuesja e misionit të ODIHR për zgjedhjet, Glover.
Deri ditën e premte do të ketë fushatë elektorale, me takimin pëmbyllës në Vlorë. Të shtunën është heshtje zgjedhore, ndërsa të dielën pritet të mbahen zgjedhjet vendore 2019 për të votuar kryebashkiakët e rinj në 61 bashki. Zgjedhjet vijnë në një klimë jo të zakontë politike, pasi presidenti Ilir Meta ka anuluar zgjedhjet e 30 qershorit, ndërsa Komisioni Qendror ka vijuar procesin pasi mazhoranca e konsideroi nul dhe në shkelje të kushtetutës zhdekretimin e 30 qershorit.
Nga ana tjetër opozita joparlamentare që i ka bojkotuar zgjedhjet ka deklaruar përmes liderit demokrat Lulzim Basha se do të pengojë këtë proces duke paralajmëruar “Shkodër” në të gjitha qarqet. Kujtojmë se në zbatim të dekretit të Metës, bashkitë e PD dhe LSI-së sulmuan KZAZ-të, ku në Shkodër ju vu flaka një klase brenda shkollës që shërbente si Komision Zonal i Administrimit Zgjedhor.