Rama porosit socialistët: Dua 800 mijë vota!
Dua 800 mijë vota për mandatin e tretë të Partisë Socialiste, tha kryeministri Rama në fjalën e tij sot në Kongresin e Partisë Socialiste.
Kreu i qeverisë u shpreh i bindur për marrjen e një mandati të tretë nga PS por siç tha ai ata janë në garë me veten.
“800 mijë vota është e lehtë të thuhet por e vështirë të bëhet. Duhet më shumë energji ndërkohë që një pjesë e energjisë është konsumuar. Me dy mandatet që kemi marrë kemi bërë më shumë reforma dhe ndryshime sa të gjitha qeveritë e këtyre 30 vjetëve”, tha Rama.
“Nëse mandati i parë ishte për të hap themelet, mandati i dytë ishte për të shtruar kantierin, mandati i tretë është për ta vendosur Shqipërinë në një nivel tjetër si shtet dhe si ekonomi. Kjo parti është shpirti patriotik i politikës shqiptare dhe fytyra evropiane. Qysh nga krijimi i saj në 1991 është e vetmja që nuk ka cenuar interesin kombëtar. I ka dhënë një dimension tjetër politikës së jashtme të Shqipërisë. Sot falë nesh Shqipëria është e respektuar dhe e vlerësuar në sytë e lidershipit evropian dhe më gjerë”, shtoi kryeministri. /Opinion.al