Shqipëri

Rama: Më mungon Thaçi, i dërgoj një përqafim

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në ceremoninë e organizuar për hapjen e aeroportit të Kukësit ka treguar arsyet përse ky aeroport quhet “Zayed – Flatrat e Veriut”.

Kryeministri tregoi se aeroporti i Kukësit mban emrin “Zayed” në nder të Princit të Kurorës të Emirateve Arabe për shkak të ndihmës që ka dhënë gjatë periudhës së luftës së Kosovës kur shumë kosovarë u zhvendosën në Kukës.

“Në këtë zonë u ngrit edhe kampi i madh i atyre që u shpërngulën nga shtëpitë me dhunë. Në atë kohë këtu erdhën shumë njerëz nga e gjithë bota. Midis tyre erdhi dhe dikush që sot është Princi i Kurorës së Emirateve të Bashkuara, Muhamed bin Zayed, i cili është i biri i një prej burrave më të urtë që me mençurinë e tij arriti t’i japë jetë atyre që sot e njohin si Emiratet e Bashkuara Arabe. I ati e nisi të birin që shoqërohej nga ai që sot është Kryeministri i Dubait dhe erdhën këtu për t’u kujdesur për refugjatët e luftës. Dhe plaku i urtë kishte dhënë urdhër që urgjentisht të hapej pista. Dhe gjurma e kësaj piste është gjurma e kësaj historie solidariteti për ata që kishin nevojë në atë moment për gjithë forcën e vëllazërisë. Princi i Kurorës e kujton edhe sot që kur ai ishte këtu i ati e merrte dy herë në ditë në telefon dhe i përsëriste “të gjithë ju që jeni aty bëni kujdes në shpërndarjen e ndihmave që asnjë familje mos t’i mungojë ushqimi”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.

Më tej, kreu i qeverisë u shpreh se në këtë ditë i mungon Hashim Thaçi, ish-presidenti i Kosovës që prej disa muajsh ndodhet në Hagë, ku po përballet me drejtësinë. Ai tha se në muret e këtij aeroporti gjendet një moment kur ai dhe Rrugova i hapën rrugë procesit të çlirimit të Kosovës.

“Më mungon shumë sot, një prej shqiptarëve më të mëdhenj, jam i bindur se historia të tillë do ta konsiderojë, Hashim Thaçin. Dhe prej këtu nuk e di a më ndjek, a do të mund të më ndjekë, por do të dëshiroja t’i çoja një përqafim dhe ti thosha se në muret e këtij aeroporti gjendet një moment, kur Thaçi dhe Rugova të ulur bashkë i hapën rrugë procesit pa kthim, çlirimit përfundimtar të Kosovës” tha ai./Opinion.al