Lajme

Rama: Kam akoma shpresë që Albini s’e ka harruar Kanunin, edhe hasmit i hapet dera kur vjen

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se ka ende shpresa që sot pasdite do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Gjatë konferencë për media në Shkup, së bashku me Dimitar Kovaçevskin, Rama ka thënë “se sipas Kanunit edhe hasmit i hapet dera kur të vjen në shtëpi”.

“Në Kosovë kur të shkoj, kam akoma shpresë që Albini nuk e ka harruar Kanunin, që kur vjen në shtëpi edhe hasmit i hapet dera, është e ndaluar deri kur ai të mbarojë fjalën”, ka thënë Rama.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën se me Ramën do të takohet vetëm në kuadër të mbledhjes së dy qeverive. Mbledhja e qeverive e paraparë të mbahej më 14 qershor, ishte anuluar nga Rama. Rama kishte kërkuar të organizohej një takim i formatit më të shkurtër, gjë që e refuzoi Kurti. Sot Rama ka njoftuar se i janë dërguar Kosovës 13 marrëveshje të nënshkruara nga pala shqiptare, marrëveshje që ishin paraparë të nënshkruheshin në mbledhje të qeverive.

Duke folur për iniciativën “Ballkani i Hapur”, Rama ka thënë se kush nuk ka marrë pjesë në të ka gabuar.

“Çfarë të keqe i ka ardhur nga Ballkani i Hapur rajonit? Shihni shifrat e tregtisë. Nuk e kuptoj se si ka akoma dyshime kur faktet flasin qartë. Sa i përket vëllazërisë apo gjakderdhjes, mendoj që është rruga më e gabuar e mendimit shqiptar sot, nuk ka rrugë më të gabuar të rrimë në të shkuarën, të grindemi se kush është patrioti më i vërtetë, patrioti më i vërtetë është ai që do vendin e vet dhe që nuk i do të keqen. Kush nuk ka marrë pjesë në Ballkanin e Hapur ka bërë gabim”.