Radiologu i parë shqiptar në Zvicër me ordinancë private!
Dr. Habib Jakupi: Një mjek gjatë jetës së tij profesionale nuk ka kohë të ndihet krenar! Ai shumë më tepër do të ndihet përgjegjës për punën që bën. Sepse nga puna e tij diagnostike do të varet drejtpërdrejt suksesi i mjekimit të pacientit
Radiologu i njohur nga Kosova, Dr. Habib Jakupi, me formim profesional gjerman dhe përvojë mjekësore në Kosovë, Gjermani e Zvicër, në një intervistë për albinfo.ch flet për karrierën e tij të deritashme mjekësore, për ordinancën që kishte hapur pas luftës në Kosovë, me vizionin për të reformuar mjekësinë kosovare dhe, në fund, për vendosjen e tij në Zvicër. Këtu, më saktë, në Cyrih, ai është themelues dhe pronar i dy ordinancave radiologjike, njëra prej të cilave mban emrin “ZEMRA”. Në intervistën në vazhdim ai zbulon edhe domethënien e plotë të këtij emërtimi…
Albinfo.ch: Dr. Habib Jakupi, një emër mjaft i njohur në mjekësinë kosovare, në Gjermani dhe së fundi edhe në Zvicër. Për ata që nuk ju njohin, mund të na flisni pak për biografinë tuaj?
Dr. Habib Jakupi: Jam i lindur në Vushtrri. Aty kam kryer shkollën fillore dhe të mesmen. Fakultetin e Mjekësisë e kam kryer në Prishtinë ndërsa specializimin për Radiologji, në Gjermani.
Albinfo.ch: Keni punuar dhe vazhdoni të punoni në spitalet më të njohura në Zvicër, më herët edhe në Gjermani. Mund të na e përshkruani punën tuaj si radiolog?
Dr. Habib Jakupi: Radiologjia është një degë e mjekësisë që merret me diagnostikimin e sëmundjeve përmes fotografimeve/imazheve, duke filluar nga më të thjeshtat si p.sh. imazhet e Rentgenit deri tek Ultratingulli apo imazheria shumështresore si CT (Tomografia e kompjuterizuar) dhe MRI (Imazheria me rezonance magnetike). Puna ime si radiolog është që përmes këtyre metodave ekzaminuese të bëj përcaktimin e diagnozës së sëmundjes së pacientit.
Albinfo.ch: Me një përvojë afro 35-vjeçare në mjekësi, cili ka qenë suksesi më i madh juaj profesional?
Dr. Habib Jakupi: Puna e radiologut në përcaktim të diagnozes së pacientit është një punë shumë sfiduese që kërkon një përgatitje solide, kushte të mira pune, përcjellje të literaturës aktuale, kongreseve e simpoziumeve të ndryshme, një edukim të vazhdueshem profesional, kontakte dhe konsultime me kolegët, literaturën dhe internetin. Suksesi më i madh për radiologun është përcaktimi me kohë, dmth në një stad sa më të hershëm, i diagnozës së pacientit, sepse ky është hapi i parë në drejtimin e duhur – për fillimin e terapisë dhe mjekimit.
Albinfo.ch: Për çfarë ndiheni krenar?
Dr. Habib Jakupi: Një mjek gjatë jetës së tij profesionale nuk ka kohë të ndihet krenar! Ai shumë më tepër do të ndihet përgjegjës për punën që bën. Sepse nga puna e tij diagnostike do të varet drejtpërdrejt suksesi i mjekimit të pacientit. Para çdo rasti d.m.th. para çdo pacienti ai e ka para vetes gjithë mjekësinë. Prandaj përqendrimi që i duhet në punë tek secili rast është maksimal.
Albinfo.ch: Fillimisht jeni vendosur në Gjermani, më pas jeni kthyer në Kosovë, ku keni hapur edhe spitalin privat “Euromed”. Pse vendoset të braktisni Gjermaninë dhe të ktheheni në Kosovë?
Dr. Habib Jakupi: Gjermania është vendi im i zgjedhur ku unë si mjek i ri i kam gjetur të gjitha mundësitë për edukim dhe përparim profesional, duke pasur parasysh nivelin shkencor dhe zhvillimor si dhe traditën e madhe të dijes dhe punës atje. Dhe kur erdhi ai moment i mirë që pas perfundimit me sukses të specializimit u ktheva si mjek specialist me profesion te lirë dhe partner në Institutin DIRANUK në Bielefeld/Gjermani, mendova se ky ishte ai pikësynimi që kisha ëndërruar. Por vetëm dy vjet ma vonë, kur Kosova jonë e dashur u çlirua, dhe pas vizitës time të parë atje, në vitin 1999, e kuptova se ëndrra ime e vërtetë qenka diçka tjetër: Ëndrra ime ishte që dijen dhe përvojën e fituar në Gjermani ta aplikoja tek njerëzit tanë, të cilët deri atëherë nuk kishin mundësi të trajtoheshin me keto metoda diagnostike moderne. Në këtë mënyrë, në fillim të vitit 2000 lindi ordinanca Euromed në Prishtinë (së bashku me dy kolegë nga Kosova) dhe më vonë, në vitin 2006 Spitali Euromed në Fushë Kosovë (me shumë kolegë nga Kosova, Gjermania, Zvicra, Austria, Turqia etj.).
Albinfo.ch: “Euromed” ishte një nga spitalet më të njohura në vitet e pasluftës në Kosovë dhe me një investim gjigant të asaj kohe. A vazhdon me të njëjtin sukses?
Dr. Habib Jakupi: Duke u bazuar në mënyrën e punës dhe standardet nga Gjermania, spitali Euromed u pranua shumë mirë nga të gjithë në Kosovë. Duke ofruar një diagnostikë moderne imazherike që ofrohej për herë të parë atje, por edhe trajtime kirugjike, ortopedike, gjinekologjike, kardiologjike etj. Duke sjellë ekspertë nga Europa perëndimore, u krijuan kushtet që shume pacientë në Kosovë të trajtohen me shumë sukses, pa pasur nevojë të dalin për mjekim jashtë Kosovës. Ky kombinim i suksesshëm e trasoi rrugën e perparimit dhe të ngritjes së spitalit “Euromed”, që ishte njëkohësisht rruga e suksesshme e trajtimit të mijëra pacientëve në Kosovë.
Albinfo.ch: Por, ndërkohë, vendosët që ta braktisni edhe Kosovën dhe të shpërnguleni sërish, këtë herë në Zvicër. Kur keni ardhur në Zvicër, pse morët këtë hap dhe ku është shtëpia juaj?
Dr. Habib Jakupi: Përvoja që mora në Kosovë ishte një pervojë e jashtëzakonshme. Një kohë e mbushur me punë e angazhim, me shumë kolegë të mirë, në shërbim të pacientëve nga të gjitha viset e Kosovës dhe më gjerë. Ishte koha kur krijohej edhe bazamenti per shëndetësinë e re kosovare, duke filluar nga baza ligjore, legjislacioni etj. Madje unë shpresoja se ishte koha të krijohej nje sistem i ri shëndetësor që do t`i shërbente shtetit të ri dhe pacientëve, të gjithë qytetarëve. Në vizionin tim, reformimi dhe përparimi në këtë fushë ishte i domosdoshëm. Duke filluar që nga qeveria/Ministria e Shëndetësisë, hartimi i ligjeve moderne për shëndetësi, krijimi i një sistemi modern shëndetësor, me infrastrukturë funksionale dhe stabile, sistemi i informimit shëndetësor deri tek sistemi i sigurimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët. Pas një pune të gjatë që u kurorëzua me sukses në vititn 2012, me aprovimin në Kuvend të Ligjit të ri për Shendetësi që do të krijonte kushtet për realizimin e vizionit që e ceka më lartë, fatkeqësisht kjo u bë e pamundur pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në dhjetor 2012, e cila, me nje vendim, i rrëzoi nenet vendimtare reformuese të ligjit të ri.
Për mendimin tim, status quo-ja u betonua ligjërisht dhe unë nuk shihja ndonjë mundësi që në 10-15 vitet e ardhshme do të kishte ndonjë përparim në shëndetësinë e Kosovës. Në këtë mënyrë në vitin 2013 u ktheva prapë në perëndim. Konkretisht, në Zvicër.
Albinfo.ch: Ku është dallimi në mes mjekësisë gjermane, asaj në Kosovë dhe kësaj tash, në Zvicër?
Dr. Habib Jakupi: Janë sisteme të ndryshme shëndetësore. Përderisa në mes Gjermanisë dhe Zvicrës ka shumë ngjashmëri, ne duhet të pranojmë stagnimin e gjatë tek ne, deri në vitin 1999 për fajin e të tjerëve, ndërsa prej vitit 1999 e këndej për fajin tonë vetanak.
Albinfo.ch: Çfarë po i mungon mjekësisë në Kosovë?
Dr. Habib Jakupi: Ato që mungojnë në Kosovë janë: Një sistem i mirëfilltë shëndetësor i një shoqërie të lirë të tipit europian, sigurimet shëndetësore për qytetarët, sistemi i informimit shëndetësor, një sistem cilësor i edukimit bazik dhe të vazhdueshëm profesional, etj.
Albinfo.ch: Nuk mund t`i ikim edhe pyetjes për pandeminë. Cili është vlerësimi juaj rreth pandemisë, atyre që nuk besojnë në Covid-19, vaksinës dhe si po e menaxhon Kosova dhe Zvicra krizën e koronavirusit?
Dr. Habib Jakupi: Pandemia është një sëmundje masive që e rrezikon shëndetin publik në hapësira të mëdha gjeografike dhe që në këto përmasa „e viziton“ njerëzimin përafërsisht një herë në 100 vjet. Ata që nuk e besojnë: mendoj se është rezultat i mosdijes, mosnjohjes; një mënyrë për t`i ikur realitetit dhe qasje e gabuar, e talljes me fatkeqësinë e vet dhe të njerëzimit. Menaxhimi i pandemisë: Një sfidë për të gjithë! Normalisht që kjo sfidë është edhe më e madhe kur kombinohet me disa veti si: qasja e rezervuar apo e gabuar, mungesë vendosmerie dhe qëndrueshmërie, mungesë vizioni për qasje largpamëse etj.
Albinfo.ch: Tani në Zvicër ju keni hapur dy ordinanca radiologjike. A mund të na flisni pak më shumë rreth këtyre dy ordinancave?
Dr. Habib Jakupi: Pas marrjes së licencës për punë private në kantonin e Zürich-ut në vitin 2019 u bë e mundur hapja e ordinancës së parë radiologjike e një mjeku me prejardhje nga hapësirat shqiptare, në Zvicër. Në ordinancën e parë në Mühlebachstr. 7, në Zürich (afër teatrit të operës) kemi filluar me ofrimin e ekzaminimeve radiologjike për MRI (ekzaminimet komplete me këtë metodë). Ndërsa në fillim të këtij viti (nga 01.03.2021) kemi filluar me ordinancën e dytë, po ashtu në Zürich, në Hardturmstr. 131. Por, me dallimin se këtu ofrojmë komplet metodat radiologjike, duke filluar nga Rentgeni digjital, Ultratingulli, Mamografia me tomosintezë, Osteodensitometria, Tomografia e kompjuterizuar (CT) deri te Imazheria me rezonancë magnetike (MRI). Kështu që kjo për mua shënon momentin e plotësimit profesional të ofertës për të gjithë pacientët, nga të gjitha anët e Zvicrës por edhe më gjerë (kemi herë pas here edhe pacientë nga vendet përreth, por edhe më të largta, madje edhe nga Kosova).
Albinfo.ch: Cila është domethënia e emrit të ordinancës “Zemra” dhe pse në gjuhën shqipe?
Dr. Habib Jakupi: Është një kombinim i fjalëve Zürich, Euromed dhe Radiologji që rastësisht e zbuluam se mund te shkurtohet duke formuar një fjalë shqipe – ZEMRA, që po ashtu është një fjalë që përcjell afërsi, respekt, dashuri, vërtetësi, këmbëngulje etj. Dhe besoj se është lehtë e kuptueshme për çdo pacient tonë.