Opinione

Qorrolli: Nëse Arifi votoi për rrëzim të Qeverisë edhe pse ishte i dënuar, vendimi duhet të anulohet

Profesori universitar, Vigan Qorrolli, ka thënë se nëse deputeti i Kuvendit të Kosovës, Etem Arifi, ka votuar për rrëzimin e Qeverisë Kurti, edhe pse ishte i dënuar me aktgjykim të formës së prerë, vendimi i Kuvendit për shkarkim të qeverisë është i paligjshëm dhe duhet të anulohet.

Më herët gjatë ditës, Erzen Vraniqi, këshilltar i kryeministrit në detyrë Albin Kurti, deklaroi se Arifi nga Partia e Ashkalinjve për Integrim ka humbur mandatin pasi është i dënuar me një vit burgim për veprën penale mashtrim me subvencione.

Në një reagim për këtë lajm, Qorrolli ka thënë se pasi që ky dënim ka qenë me aktgjykim të formës së prerë më herët, nëse deputeti ka votuar më 25 mars për shkarkim të Qeverisë, vendimi duhet të anulohet.

“Sipas nenit 70.3 (6) të Kushtetutës, mandati i deputetit humb nëse ai/ajo dënohet me vendim të formës së prerë me një ose më shume vite burgim. Etem Arifi e ka humbur statusin e deputetit para dt. 25 mars, sepse Aktgjykimi i Gjykates se Apelit është shpallur para kësaj date — prandaj Qeveria duhet ta dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për anulimin e vendimit të Kuvendit për shkarkimin e Qeverisë Kurti — sepse në të ka marrë pjesë një ish-deputet sipas Kushtetutës! Vendimi i Kuvendit është antikushtetues! Zbulimi i këtij fakti e cenon rëndë demokracinë kushtetuese të Kosovës!” ka shkruar Qorrolli.