Lajme

Qeveria e Serbisë shpërndan doracakun e mbulimit të simboleve të Kosovës për targat

Policët dhe doganierët serbë në pikat kufitare të Serbisë me Kosovën janë pajisur nga Qeveria e Serbisë këtë të diel me doracakun se si duhet të mbulohen simbolet e Republikës së Kosovës në targa.

Klan Kosova ka siguruar fotografi se si duket ky doracak i cili tashmë është shpërndarë në pikat kufitare.

Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme janë larguar barrikadat në dy pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Jarinjë dhe Bërnjak.

Që nga 20 shtatori këto dy pika kufitare ishin bllokuar nga serbët lokalë, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për masën e reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia.

Sipas vendimit, makinat me regjistrim të Serbisë, duhet të heqin këto targa në hyrje të Kosovës, dhe të marrin targa të përkohshme gjatë lëvizjes në Kosovë.

Megjithatë, delegacionet e dy shteteve me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, kanë arritur marrëveshje më 30 shtator për çështjen e targave dhe zhbllokimin e veriut, sipas së cilës nga 2 tetori u larguan barrikadat dhe Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës – ku u vendosën trupat e KFOR-it,

Pika dy e kësaj marrëveshjeje parasheh që nga 4 tetori, ora 8:00, hyn në fuqi regjimi i letrave ngjitëse (mbulimi i simboleve shtetërore), në pajtim me kornizën e dialogut të ndihmuar nga BE-ja dhe do të aplikohet si masë e përkohshme derisa të vendoset një masë e përhershme.

Kështu do të duket mbulimi i simboleve të Kosovës dhe e njëjta vlen edhe anasjelltas.