Maqedoni

Qeveria e Maqedonisë së Veriut vendosi heqjen e testit PCR për rajonin

Nga 12 tetori hyrja në Maqedoninë e Veriut lejohet pa PCR test negativ. Vendimi i fundit i Qeverisë heq kushtin për qytetarët nga Kosova, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia, të cilët deri tani për shkak të pandemisë obligoheshin të kenë test negativ jo më të vjetër se 72 orë.

Qeveria:
“Vendimi është marrë me qëllim lehtësimin e nevojave të domosdoshme të qytetarëve. Qeveria bën apel që udhëtimet të realizohen sa më pak, ekskluzivisht për nevoja të rëndësishme dhe duke respektuar në maksimum masat e nevojshme mbrojtëse kundër Kovid-19”

Këtë vendim organi ekzekutiv e mori pas rekomandimit të Komisionit për Sëmundje Infektive i cili në seancën e të hënës ka konstatuar se pasqyra epidemiologjike në rajon është stabile dhe se lëvizja e lirë nuk është indikacion për ta zgjeruar pandeminë.

Pas vendimit të Qeverisë për heqjen e testit PCR negativ me vendet e rajonit, burime nga Qeveria në Kosovë bëjnë të ditur për Alsat se një vendim i njëjtë pritet në mbledhjen e parë të Qeverisë. Sipas të njëjtave burime, në rast se Qeveria e Kosovës nuk arrijnë të mblidhet në kohë të shpejtë për arsye procedurale, vendimi për lëvizje të lirë pa PCR negativ do të hy në fuqi me automatizëm, që nënkupton me vendim të kryeministrit.

Gjatë javës vendimin për heqjen e testeve PCR negativ pritet ta miratojnë edhe Qeveritë në Mal të Zi, Bosnjë-Hercegovinë dhe Serbi. Për momentin nuk diskutohet për protokolle shtesë, përveç atyre bazike si mbajtja e maskave, distanca fizike dhe larja e duarve.

Adrian Kerimi