Lajme

Qeveria e Kosovës shpall emergjencën për shëndetin publik

Qeveria e Kosovës, me kërkesë të ministrit të Shëndetësisë, ka shpallur emergjencën për shëndetin publik.

Ky njoftim vjen pas konfirmimit edhe të katër rasteve të reja me koronavirusin e ri, duke çuar në nëntë numrine personave të infektuar me Covid-19.

“Sipas vendimit, obligohen institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës të veprojnë konform Planit të reagimit kombëtar dhe aktivizimit të funksionit mbështetës emergjentë 8 (FME8 shëndeti publik dhe shërbimet mjekësore). Ministria e Shëndetësisë është përgjegjëse për menaxhimin e situatës së shpallur të emergjencës për shëndetin publik”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Në Planin e reagimit kombëtar të Qeverisë së Kosovës, Funksioni mbështetës emergjentë 8 apo FME 8, që ka të bëjë me shëndetin publik dhe shërbimet mjekësore, dhe pikë së pari me përpjekjet siç thuhet të “në veprime për zbulimin, parandalimin apo zvogëlimin e efekteve dëmtuese në shëndetin dhe sigurinë publike”.

“Veprimet e tilla mund të përfshijnë analizimin e mjedisit, strukturën e pendave, evakuimet, strehimin emergjent, monitorimin e cilësisë së ajrit, dekontaminimin, përcjelljen e shpërthimit të sëmundjeve ngjitëse, parashikimet emergjente, etj”, thuhet në Planin e reagimit kombëtar.

FME 8 mundëson që institucionet përkatëse, në rastet e shpalljes së emergjencës të shëndetit publik, të mund të plotësojnë nevojat për preparate farmaceutike apo për personel mjekësor si dhe sigurimin e vaksinave për parandalimin e sëmundjeve të caktuara ngjitëse.

Ndërkaq, në Ligjin për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse, në nenin 41, ekzekutivi i vendit thuhet se mund të ndërmarrë një sërë masash për të mbrojtur popullatën nga sëmundjet ngjitëse,ndaluar qarkullimin në rajonet e infektuara apo që janë të rrezikuara.

Po ashtu, sipas këtij ligji, mund të kufizohet ose ndalohet qarkullimi i llojeve të veçanta të mallrave dhe të produkteve. /Burimi: REL