Qeveria e Kosovës, 580 mijë euro për Shkollën e Muzikës dhe Muzeun e Preshevës!
Në mbledhjen e 264-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të mbajtur sot, është miratuar vendimi për mbështetjen financiare prej 580,000 euro për ndërtimin e objektit të përbashkët që do të shërbejë si Shkollë e Muzikës dhe Muze i Preshevës, një projekt me vlera të shumëfishta kombëtare, edukative dhe kulturore për shqiptarët në Luginën e Preshevës.
Ky vendim nuk është thjesht një investim infrastrukturor, por është një hap konkret drejt zgjerimit dhe themelimit të institucioneve shqiptare në Luginën e Preshevës, në veçanti në një rajon ku mungesa e hapësirave publike funksionale ka qenë pengesë reale për zhvillim kulturor dhe edukative.
Ndërtesa e përbashkët e Shkollës së Muzikës dhe Muzeut të Preshevës nuk është thjesht një objekt.
Është gurthemeli i institucionalizimit të kulturës dhe kujtesës kombëtare shqiptare në Luginë
Shkolla e Muzikës do të jetë baza e parë për edukimin profesional muzikor të brezit të ri, duke nxitur talentin dhe krijimtarinë në një mjedis bashkëkohor.
Muzeu i Preshevës, si institucioni i parë i këtij lloji, do të krijojë më në fund mundësinë që historia, kultura dhe trashëgimia shqiptare në Luginë të kenë një adresë zyrtare dhe dinjitoze, siç e meritojnë.
Hartimin teknik dhe realizimin e këtij projekti do ta zbaton Komuna e Preshevës, në kuadër të planit të saj zhvillimor për ngritjen e infrastrukturës publike kulturore dhe arsimore. Kjo është dëshmi se kur institucionet lokale kanë vizion, ato mund të ndërtojnë modele funksionale edhe në kushte sfiduese.
Këshilli Kombëtar Shqiptar do të jetë garantues i transparencës, bashkëpunimit ndërinstitucional (Qeveri e Republikës së Kosovës dhe Komuna e Preshevës) dhe realizimit të qëllimit për të kthyer këtë objekt në një qendër të gjallë kulturore dhe arsimore për gjithë Luginën.
Falënderojmë Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Ministrinë e Kulturës për këtë mbështetje strategjike, që e shndërron kujdesin institucional në vepër konkrete dhe që e forcon pozitën e shqiptarëve në Luginë.
Ky nuk është vetëm një projekt, por është një mesazh. Se shqiptarët e Luginës nuk janë të harruar, dhe se kulturës sonë po i jepet vendi që meriton.