PVD del me reagim pasi nuk u arrit krijimi i shumicës së re në KKSH
Partia për Veprim Demokratik ka reagur në lidhje me situatën politike rreth Këshillit Kombëtar Shqiptar, pëcjell Ministria e Lajmeve
Më poshtë mund ta lexoni komunikatën e PVD-së:
Degradimi i vullnetit të popullit në funksion të praktikave destabilizuese
Pas përpjekjeve të vazhdueshme që nga 15 nëntori i vitit 2022, dje, më 13 janar, përfundimisht, edhe pas përpjekjes së fundit për ndërmjetësim të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nuk u krijua shumica e re për bashkëqeverisje në Këshillin Kombëtar Shqiptar.
Platformës tonë që të “Vazhdojmë Bashkë për më shumë Kosovë e Shqipëri në Luginë” refuzuan ti bashkohen PD dhe LPD.
Qasja shantazhuese e LPD-së, e cila përkundër faktit se në zgjedhje ka marrë vetëm dy mandate, e që para 5 ditëve ishte deklaruar se do të shkoj në opozitë, ka kërkuar me kokëfortësi vendin e kryetarit të Këshillit Kombëtar, duke shkelur kështu edhe vet vendimin e kryesisë së subjektit të vet.
Në vazhdimsi, në mënyrë indirekte, LPD ka qenë e mbështetur nga PD, e cila, me parimin “e njohim fituesin e zgjedhjeve, por mernu vesh ju dy” për të parin e KKSH ka inkuraju kërkesën destruktive të Lëvizjes së progresit demokratik.
Në asnjë takim të ftuar nga PVD dhe të mbajtur në zyrat e saj, nuk kanë marrë pjesë as kryetari i PD-së e as kryetari i PDSH-së.
Në takimin e ditës së fundit, të organizuar nga kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, për të gjetur një zgjidhje për të ndërtuar shumicën qeverisëse dhe për t’i ikur masave të dhunshme që do t’i vendosë Beogradi pas të hënës, asnjëra nga këto parti nuk ka reflektuar.
LPD ka insistuar në postin e kryetarit të KKSH me mandat 4 vjeçarë, ndërsa, PD ka vazhduar me strategjinë e vet të kalkulimit, pa ofru zgjidhje, “mernu vesh ju dy”, duke e kontestuar kështu parimin e fituesit.
Ndërkohë që PDSH ka dhënë një propozim që Ragmi Mustafi, nga lista fituese e zgjedhjeve të zgjidhet për një mandat 1 vjeçarë, ndërsa, pas një viti të rishqyrtohet edhe njëherë marrveshja. Edhe ky propozim është refuzuar nga LPD.
Me qëllim të daljes nga kjo situatë, e përtej asaj çfar ka ndodhur në Prishtinë, PVD, i ka dhënë propozim LPD-së që mandati katërvjeçarë të ndahet nga dy vjet mes këtyre subjekteve. Edhe ky propozim është refuzuar nga LPD.
Madje, në përpjekjen e fundit, PVD, ka ftuar seancë duke i thirrur gjithë këshilltarët e të gjitha subjekteve politike, përfshirë edhe APN-në, për tu takuar në selinë e KKSH-së për dakordim për t’i ikur masave të dhunshme. Asnjë këshilltarë, përveç atyre të PVD-së nuk morën pjesë.
Në këtë mënyrë dështoi çdo përpjekje që zgjedhjen e organeve të reja të KKSH-së të mos i transferohet ministrisë në Beograd.
PVD, shpreh brengosjen më të thellë për shkak të degradimit të skajshëm të vullnetit të popullit të shprehur në zgjedhje, por, edhe të institucionit të vetëm shqiptar në Luginë të Preshevës.
PVD e konsideron si të rrezikshëm dhe destabilizues instalimin e rregullave të reja të mosnjohjes së fituesit të zgjedhjeve.
Ky parim, i cili, në Bujanoc është rerspektuar prej 2002, ditën e djeshme është shantazhuar dhe koruptuar nga dy partnerët tanë në qeverisjen komunale në Bujanoc, duke çuar në destabilizim jo vetëm Këshillin Kombëtar por edhe institucionet tjera në Bujanoc dhe Luginë të Preshevës.
Ditëve në vijim, PVD, do të shqyrtojë dhe vendosë për strategjinë e vet të veprimit politik, pjesë e pandashme e të cilit koncept është “Më shumë Kosovë e më shumë Shqipëri në Luginë” që, dje, u përdhos nga dy partnerët tanë të koalicionit lokal në Bujanoc.
Dje përfundimisht, kryetari dhe zv/kryetari i Bujanocit i thanë JO Kosovës në Luginë.
Kjo politikë që ka për qëllim shkëputjen e Luginës së Preshevës nga Kosova do të marrë përgjigjen e duhur dhe të përgjegjëshme nga PVD.
Partia për Veprim Demokratik
Shaip Kamberi – kryetar