Të fundit

PVD Akuzon pushtetin lokal për keqqeverisje, zgjidhja e vetme janë zgjedhjet

Partia për Veprim Demokartik (PVD), me anë të një kumtese akuzoi drejtuesit e pushtetit lokal në Preshevë i cili është i përbërë nga APN dhe LR, për keqeverisje, jotransparencë dhe akuza të pabaza ndaj ish kryetares së komunës, Ardita Sinani.

PVD ka kërkuar zgjedhje të reja të cilat i sheh si zgjidhje për, siç thuhet, keqmenaxhimin ndaj komunës.

Kumtesa e PVD-së

Ashtu siç kishim paralajmëruar që nga trafikimi i pushtetit në Preshevë, se synimi ka qenë përveç kapjes pa votë të karrigeve të pushtetit por të zhvatjes së qytetarëve të komunës sonë, ashtu edhe po ndodh.

Pasqyra më e mirë e kësaj, ishte seanca e fundit e Kuvendit Komunal, ku mes pikave tjera të rendit të ditës, ishte edhe Rebalansi i Buxhetit.

Shfaqja e 28 shtatorit, vetëm proceduralisht mund të quhet seancë e organit më të lartë të një pushteti lokal. Në fakt ishte një shfaqje e shëmtuar tragji – komike e pushtetit lokal, gjegjësisht binomit të trafikuesve të pushtetit, Shqiprim dhe Sami.

Edhe pse grupi i këshilltarëve të PVD, insistuan që për pikën e rendit të ditës, Rebalansit të Buxhetit, të jepen sqarime, ishin totalisht të paaftë qoftë kryetari apo zv/kryetari i Komunës për një gjë të tillë. Por, kjo nuk është risi, meqë (pa) aftësia e akterëve aktual të pushtetit, tashmë është e dëshmuar.

Kjo pikë e rendit të ditës, pra Rebalansit të Buxhetit, gjë e cila ndodhë në çdo seancë të rregullt kur në pushtet është binomi Shqiprim & Sami, u shfrytëzua që i pari, pra kryetari i Komunës të vjell vrerë e fyerje për gjithkënd që nuk është me mendësinë e tij. E si zakonisht, sikur ndodh periudhën e fundit, u shfrytëzua kjo mundësi që të fyhen e linçohen krerët më të lartë shtetëror e institucional në Republikën e Kosovës.

Mbase, për këtë të fundit, duhet të reflektojnë bashkë Shqiprim Arifi e Sami Salihu, pse janë vetizoluar. Pse ende edhe pas mbi 5 muaj në pushtet, as nuk janë pritur e as nuk kanë pritur asnjë delegacion të rëndësishëm nga Kosova dhe jo vetëm.

Në anën tjetër, edhe pse një kohë të gjatë që nga trafikimi i pushtetit u morën me akuza për ish kryetaren e Komunës, znj. Ardita Sinani për harxhim të buxhetit, nuk e publikuan raportin e Revizorit, të cilin vet e kërkuan, e në të cilin thuhet se Buxheti komunal në atë periudhë është shpenzuar në përputhshmëri me ligjin dhe nuk ka asnjë vërejtje.

E përbashkëta e binomit që udhëheq sot me Preshevën, po del gradualisht në pah. Favorizime të familjarëve, duke filluar nga punësimet e familjarëve të ngushtë të kryetarit të Kuvendit, e duke vazhduar me favorizime me projekte të kompanive të familjarëve të tij. Siç u pa edhe në projektin e fundit të rregullimit të shtratit të lumit në Rahovicë, ku përzgjidhet këshilltari i kreut të LR, njëkohësisht familjar i ngushtë i tij. Pavarësisht, se kompania e cila ka fituar të drejtën e punimeve në këtë projekt, në veprimtarinë e saj asnjëherë nuk është marrë me punë të tilla, e madje as nuk ka fare makinerinë për të kryer projekte të ngjashme.

I njejti projekt, në faqen e Komunës së Preshevës, është paraqitur si dëshmi kinse e transparencës. Kjo mbase është praktikë shantazhuese për të mbajtur me çdo kusht një shumicë të brishtë në Kuvend. Praktika të tilla, nuk është se ndodhin për herë të parë, kur janë në pyetje liderët e subjekteve që sot udhëheqin me komunën tonë.

Në anën tjetër, renovimi i Kabinetit të kryetarit të Komunës, asnjëherë nuk është paraqitur në publik. Përkundrazi, informacionet për koston e renovimit të kabinetit, për nevoja të luksit të Shqiprim Arifit, janë marrë me insistimin e organeve kompetente. Sepse, është tentuar në vazhdimësi fshehja e informacionit lidhur me këtë projekt. E i cili në fakt ka kushtuar mbi 40.000,oo Euro të taksapaguesve të komunës së Preshevës. Madje, dyshohet se për këtë projekt, ka pasur aneks kontrata, me të cilat mund të arrijë dyfishi i vlerës e që pas shumë insistimeve zyrtare kemi marrë përgjigje jo të plotë nga kryeshefi i Administratës Komunale.

Është paradoksale, që në komunën më të varfër në Serbi, të rregullohet një kabinet ndër më të kushtueshmit. Aq më pak, kur të njejtën hapësirë e shfrytëzon me korrespodencë kryetari i Komunës dhe anëtarët e kabinetit, meqë vizitorët e rëndësishëm mungojnë.

Pra, siç po shihet qartë, të njejtit që brenda një periudhe të shkurtër bëjnë harxhime enorme për projekte dhënë familjarëve, punësime të familjarëve e luks të panevojshëm, dikur i ndërprenë subvencionet bujqërve tanë. Me arsyetimin, se nuk ka mjete të mjaftueshme. Po për luksin, ku u gjetën?!

Prandaj, zgjidhja e vetme janë zgjedhjet!

Qendra për Informim e
Partisë për Veprim Demokratik