Putin: Nëse SHBA-ja zhvillon raketa bërthamore, njësoj do të veprojë edhe Rusia
Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se Rusia do të përgjigjet me masa të njëjta, nëse Shtetet e Bashkuara zhvillojnë raketa bërthamore me rreze të shkurtër dhe të mesme, pas daljes nga traktati kryesor i kontrollit të armëve bërthamore.
“Nëse Rusia merr informacion të besueshëm, se Shtetet e Bashkuara përfundojnë zhvillimin e këtyre sistemeve dhe fillojnë ti prodhojnë ato, Rusia nuk do të ketë mundësi tjetër, përveç se të angazhohet në një përpjekje në shkallë të plotë, për të zhvilluar raketa të ngjashme”, tha Putin përmes një deklarate.
Vërejtjet e Putinit erdhën pasi Shtetet e Bashkuara, më 2 gusht, u tërhoqën zyrtarisht nga Traktati i Forcave Bërthamore (INF), që u nënshkrua nga ish-presidenti i SHBA-së, Ronald Reagan, dhe lideri sovjetik, Mikhail Gorbachev në vitin 1987.
Rusia kishte pezulluar më parë pjesëmarrjen e saj në traktat, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, më 1 shkurt, njoftoi se Shtetet e Bashkuara po planifikojnë të tërhiqen nga traktati.
Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja e kanë akuzuar Rusinë për shkelje të paktit.
Moska i mohoi pretendimet dhe i akuzoi Shtetet e Bashkuara se dëshirojnë të braktisin paktin, në mënyrë që të mund të fillojë një garë e re për armët.
Putin tha se është thelbësore që Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, të rifillojnë bisedimet për kontrollin e armëve, për të parandaluar atë që ai e përshkroi si një garë të “pandërprerë” të armëve.
“Për të shmangur kaosin pa rregulla, kufizime ose ligje, ne duhet të peshojmë edhe një herë të gjitha pasojat e rrezikshme, dhe të fillojmë një dialog serioz dhe domethënës”, tha Putin.
Presidenti Trump më 2 gusht u tha gazetarëve se do të donte të krijonte një marrëveshje të re me Rusinë, që do të zvogëlonte të gjitha armët bërthamore. Ai tha se marrëveshja ndoshta do të përfshijë edhe Kinën.
Pekini është përgjigjur duke thënë se “në asnjë mënyrë nuk do të pajtohej ta bënte Traktatin shumëpalësh”./Rel