Shqipëri

PS hap nesër fushatën për Tiranën, Veliaj: Pse s’mund të shtyhen zgjedhjet

Kur na ndajnë 100 ditë nga data e zgjedhjeve, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë nesër masivisht në takimin e nesërm “Bashkia që duam” që do të zhvillohet në sheshin “Nënë Tereza”.

I ftuar në emisionin “Koha për t’u zgjuar” nga Bashkim Hoxha, Veliaj u shpreh se nesër do të prezantohen edhe 100 kandidatët për anëtarë të Këshillit Bashkiak që do të përfaqësojnë të gjithë grupet, profesionet dhe zonat e kryeqytetit.

“Kemi vendosur që ditën e nesërme, që është fiks 100 ditë përpara sesa të mbahen zgjedhjet, ne të kemi edhe 100 kandidatë për Tiranën, për disa arsye. Së pari, nëse marrin apo s’marrin pjesë disa nga partitë politike, ne duhet të përgatitemi sikur do ta popullonim të gjithë listën e 61 kandidatëve. Por ka dhe diçka më shumë. Lista e Tiranës gjithmonë ka prodhuar talente edhe për skenën kombëtare. Fjala vjen në zgjedhjet e fundit, këshilltarët më të dalluar të Këshillit Bashkiak të Tiranës, kaluan u bënë deputetë, disa të tjerë morën detyra të tjera të rëndësishme, dhe u desh të linin mandatin e këshillit. Do të rikandidojnë në pozicione të ndryshme, ata që tashmë kanë qenë dhe janë sprovuar në Këshillin Bashkiak, por ndërkohë do të shtohen po aq të rinj. Njerëz me shumë personalitet nga fusha të ndryshme, që edhe në eventualitetin që disa parti nuk i përfaqësojnë votuesit e tyre, do sigurohemi që ka përfaqësues të kategorive të ndryshme të Tiranës, profesioneve të ndryshme apo prejardhjeve të ndryshme, që çdo qytetar të ndihet i përfaqësuar, pavarësisht ngjyrave të partive, të paktën ngjyrat e profesionit, të vendbanimit, edhe të gjithë advokatise komunitare”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë zbardhi edhe axhendën e punimeve të Kongresit të Partisë Socialiste i cili është konceptuar krejt ndryshe nga vitet e mëparshme.

“Ne kemi ftuar të gjithë qytetarët e Tiranës, jo vetëm ata që janë anëtarë të PS, ka shumë demokratë që në njëfarë mënyre e thonë troç, ia kanë parë hajrin mënyrës se si ka punuar bashkia, ju është rritur vlera e pronës, ka patur zhvillime në komunitet. Dhe unë besoj që tek bashkia, tek menaxhimi i qytetit, njerëzit janë më pak të politizuar. Shohin më shumë çerdhja, kopshti, shkolla, këndi i lodrave, pastrimi, sesa stemat e partisë. Kështu që mezi pres që nesër të takoj dhe shumë miq të mitë, demokratë, që thonë Tirana është në drejtimin e duhur. Mirë, keq, mund të mos jetë partia jonë, por gjërat po ecin për mirë. Edhe ne do të kemi këtë seancë aty, nga ora 11:00 deri nga ora 13:00, pastaj për t’u rikthyer në Pallatin e Kongreseve për disa sesione”, deklaroi Veliaj.

Veliaj zbardh arsyet pse nuk do të ketë shtyrje të datës së zgjedhjeve

Kryebashkiaku Erion Veliaj shprehet i bindur se nuk do të ketë shtyrje të datës së zgjedhjeve. I ftuar në emisionin “Koha për t’u zgjuar” nga Bashkim Hoxha, Veliaj tha se zgjedhjet lokale që kanë të bëjnë me administrimin e qytetit nuk duhen ngatërruar me çështjet politike.

“Unë kam një kontratë me qytetarët. Nuk mund të themi se pas datës 30 qershor ne nuk do i mbledhim plehrat sepse një parti nuk do të vijë në zgjedhje. Ose pas datës 30 qershor, autobusët nuk do të shkojnë në stacion, shkollat nuk do të hapen, në çerdhe nuk do të shkojë qumështi sepse një parti nuk erdhi në zgjedhje. Të ngatërrosh zgjedhjet lokale që kanë të bëjnë me administrimin e qytetit me çështjet politike, është pakuptim. Patjetër që zgjedhje do të ketë dhe patjetër që qyteti do të funksionojë”, tha ai, teksa shtoi se zgjedhjet nuk mund të shtyhen edhe për dy arsye të tjera, njerëzit që ikin me pushime, si dhe ofrimi i shërbimeve për qytetarët.

“Nuk mund të bëjmë zgjedhje në korrik edhe në gusht, sepse ju e dini fare mirë që njerëzit kanë edhe të drejtë të pushojnë. Kryetarët e bashkive nuk mund të firmosin gjë pas ditës kur kanë bërë betimin. Unë firmos në ditë mesatarisht 1 mijë dokumente që mundësojnë që qyteti të funksionojë në të gjitha fushat e jetës së qytetit, duke filluar nga shërbimi funeral tek certifikata e lindjes, pra në të dyja ekstremet e jetës dhe të gjithçka tjetër në mes. Pra kryetarët e bashkive do të duhet të operojnë”, deklaroi Veliaj. Kreu i Bashkisë nënvizoi se në kontrast me kapuçat, me maskat, me gurët, me molotovin, fushata do të jetë e fokusuar tek familjet dhe çfarë është bërë në Tiranë gjatë këtyre katër viteve që nga çerdhet, kopshtet, shkollat, këndet e lodrave.

“Unë nesër i kam ftuar qytetarët pa dallim që të jenë më mua në këtë gëzim të jetës time, për mua është një gëzim t’ju kërkoj qytetarëve të mi njerëzve më të cilët kam punuar këto 4 vite që kemi transformuar qytetin t’ju kërkoj një besim dhe i kam ftuar të gjithë njerëzit të vijnë me familjet e tyre se ne besojmë tek një qytet që është ndërtuar nga këto qeliza që janë familjet. Unë besoj që kontrasti me kapuçat, me maskat me gurët, me molotovin , me zjarrin, me shashkat është kur ne përballemi me familjet tona dhe unë besoj mes një fushate që është e fokusuar tek familjet dhe çfarë kemi bërë për familjet e Tiranës nga çerdhet, nga kopshtet, nga shkollat, këndet e lodrave dhe nga të gjithë këto ambientet dhe i një grupi tjetër që sjell në Tiranë me autobusë stafe të bashkisë, të bashkive të tjera le të themi që nuk janë modele ekselence. Unë them nesër njerëzit do të shohin kontrastet se çfarë do të thotë një qytet që nuk e pranon bullizmin, që nuk e pranon dhunën, që nuk e ulë kokën ndaj çdo ndotje. Ju e keni vënë re menjëherë në punë minutash e kthejmë në normalitet Tiranën mbasi mbaron dhuna dhe shkatërrimi”, deklaroi Veliaj.