Të fundit

Propozohet dënim me 3 vjet burg për Vuçiqin dhe ministrin e Financave, ishin jashtë vendit dhe nuk u izoluan

Qendra e Toplicës për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut ka paraqitur padi penale kundër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ministrit të Financave, Sinisha Mali, për shkak të mosveprimit sipas rregullave shëndetësore gjatë pandemisë, sepse nuk i janë përmbajtur vetizolimit pas kthimit nga Hungaria në kohën e gjendjes së jashtëzakonshme.


Në kumtesë të kësaj organizate pretendohet se Vuçiq dhe Mali kanë qenë në vizitë në Hungari më 22 mars, por pas kthimit nuk i janë përmbajtur masave të vetizolimit të cilat vlejnë për të gjithë qytetarët të cilët vijnë në Serbi.

Si provë të kësaj akuze pretendohen informatat në dispozicion për këtë vizitë të publikuara në mediet serbe.

Qendra e Toplicës për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut propozojnë që për Vuçiqin dhe Malin të caktohet paraburgimi sepse paraqitja në publik tregon se për një kohë të shkurtër ata mund ta përsërisin këtë vepër penale.

“Propozojmë që këta persona të dënohen me dënim maksimal me burg në kohëzgjatje prej 3 vjetëve, pasi bëhet fjalë për persona të cilët nëpërmes të mjetive të informimit publik i tregojnë qytetarëve se nuk po i përmbahen masave të izolimit e me këtë edhe po i shkelin këto masa”, shtohet në kumtesë të kësaj organizate.

Siç është vlerësuar në kumtesë, vetëm me dënimin maksimal të paraparë me burg mund të arrihet preventiva e përgjithshme, gjegjësisht do t’u tregohet qytetarëve në mënyrë të qartë për domosdoshmërinë e zbatimit të masave të vetë izolimit.