Lajme

Profesori Silk i shkruan Hotit, Kosnetitt dhe Palmerit se Kosova mund të hetohet nga OKB-ja për dëbimin e avokatit Ma

Kosova mund të bëhet subjekt i një hetimi nga Raportuesi Special i OKB-së mbi situatën e Mbrojtësve të të Drejtave të Njeriut, për shkak të dëbimit të juristit të të drejtave të njeriut dhe avokatit Tienmu Ma, i cili ka shërbyer si këshilltar i ish-kryeministrit Albin Kurti.

Ky është paralajmërimi që ka dhënë profesori i të drejtave të njeriut James Silk nga Universiteti Yale, në një letër që ia ka dërguar kryeministrit Hoti, Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Philip Kosnett si dhe emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer.

“U ndjeva thellësisht i shqetësuar kur mësova për përpjekjet e vazhdueshme të Qeverisë suaj për të larguar nga Republika e Kosovës juristin e të drejtave të njeriut Tienmu Ma, sidomos tani që jemi në mes të pandemisë COVID-19. S”, shkruan në letrën e Silk, një kopje të së cilës e ka siguruar KOHA.

“Kjo sjellje, që mund të shihet vetëm si përpjekje për t’u hakmarrë kundër një juristi të të drejtave të njeriut, thjesht pse ka bërë punën e tij të duhur e të rëndësishme, jo vetëm nëpërkëmb përparimin e Kosovës drejt demokracisë dhe vendosjes së sundimit të ligjit; por cenon qartë edhe Deklaratën e OKB-së për Mbrojtësit e të Drejtave të Njeriut. Abuzime të këtilla përbëjnë bazë për hetimin e veprimeve të Kosovës nga Raportuesi Special i OKB-së mbi Situatën e Mbrojtësve të të Drejtave të Njeriut”. Silk, i cili tregon se me Ma-n njihet prej 11 vitesh nga Universiteti i Jales, kur ai ishte student në klinikën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut “Allard K. Lowenstein”, veprimet e autoriteteve të Prishtinës i ka kualifikuar hakmarrëse për shkak të punës së avokatit rreth rastit të dëbimit të shtetasve turq, i njohur si “Gylenistët”.

“Jam i pikëlluar që Qeveria juaj, për çka duket të jenë arsye të pahijshme politike, po kërcënon të largojë me forcë këtë goxha djalë dhe shërbyes publik të dedikuar nga vendi të cilit është përpjekur t’i shërbejë besnikërisht, duke sakrifikuar herë-herë edhe interesat e veta. Për hir të reputacionit të Kosovës si shtet demokratik që respekton të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, ju nxis të garantoni sigurinë e z. Ma. Për më tepër, ju nxis, së pari, që Qeveria juaj të mos ndërmarrë hapa për të deportuar z. Ma dhe, së dyti, që Qeveria juaj të rishqyrtojë vendimin e vet të pavend e të dëmshëm para se kjo çështje të bëhet shkak i turpërimit ndërkombëtar të Kosovës dhe para se t’i sjellë dëm të mëtejmë z. Ma”, përfundon letra e Silk.

Tien Mu është shtetas amerikan i lindur ne California, ShBA. Ai ka qenë hartues i raportit të komisionit hetimor parlamentar ne lidhje me deportimin e gjashte shtetasve turq. Raporti, i cili është miratuar nga Kuvendi në qershor të vitit 2019, pati gjetur 31 shkelje gjatë procedurave/procesit të deportimit të shtetasve turq. Tienmu poashtu pati shërbyer si këshilltar i jashtëm për të drejtat e njeriut i ish-Kryeministrit Kurti.

Sipas arsyeve të publikuar në media, dy janë bazat e refuzimit: E para, diploma e Tienmu nuk është shoqëruar nga një përkthim në njërën prej gjuhëve zyrtare të Kosovës dhe e dyta, llogaria bankare e dorëzuar në aplikim nuk ka mjaft qarkullim, për të mbuluar shpenzimet.

Por Tomë Gashi, i cili është avokat i Tienmu Ma i ka thënë “Kohës” se, vendimi për largimin e tij ende nuk ka hyrë në fuqi, “sepse Qeveria Hoti nuk na ka njoftuar për vendimin në fjalë, edhe pse atë vendim e ka nxjerrë në media, për ta dëmtuar z. Ma”. Sipas Gashit, Udhëzimit administrativ përkatës thotë se, vendimi hyn në fuqi vetëm kur të njoftohet pala apo përfaqësuesi i tij juridik për atë vendim.