Prishtinë, Prokuroria Themelore nis hetimet për 9 vdekjet në QKUK
Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur hetimet lidhur me dyshimet për vdekjen e 9 pacientëve me COVID-19 në Klinikën Infektive pranë Qendrës Klinike Universitare (QKUK). Hetimet po bëhen shkaku i dyshimeve rreth natyrës së vdekjeve të një numri të shtuar të pacientëve me Koronavirus për një periudhë të shkurtër kohore, ndonëse dihet se të njëjtët vuanin edhe nga sëmundje shoqëruese. Ndërkohë, QKUK dhe Ministria e Shëndetësisë iu apeluan qytetarëve të jenë të përmbajtur derisa hetimi të përfundojë. Numri i madh i viktimave dhe mbi 150 rastet e reja rikthyen masat kufizuese, të cilat hynë në fuqi nga dita e sotme. Ministri i shëndetësisë, Armend Zemaj paralajmëroi dënime për shkelësit.
“Për të parandaluar virusin është vendosur që të ndalohet lëvizja në disa komuna gjatë orarit të caktuar, reduktim të numrin të të punësuarve në institucione, reduktim të shërbimeve shëndetësore jo esenciale në institucione shëndetësore, krijim të kapaciteteve të reja testuese në rajone, licencim të institucioneve shëndetësore private për të kryer testime për Covid-19, blerje të 100,000 testeve virologjike”, deklaroi Armend Zemaj, Ministër i Shëndetësisë në Kosovë.
Ashtu si në Kosovë edhe në Shqipëri janë rikthyer shifrat e larta të të infektuarve me Koronavirus. Vetëm sot 71 persona rezultuan pozitiv, ndërsa u shënuan 3 viktima, mes të cilëve edhe një mjek familjar.
“Trendi i shtuar i rasteve të konfirmuara me Covid19 ka vijuar dhe gjatë javës që lamë pas, por njëkohësisht epidemia ka paraqitur një numër më të lartë të rasteve që janë hospitalizuar dhe të rasteve që kanë humbur jetën”, tha Eugena Tomini, Instituti i Shëndetit Publik.