Prindërit e varur nga teknologjia ndikojnë shumë në zhvillimin e fëmijëve
Sa orë në ditë e përdorni telefonin?
Jini të sinqertë. Sa kohë kaloni në rrjete sociale, shikoni video interesante, lexoni artikuj, kontrolloni motin, luani lojëra, apo kërkoni diçka interesante në Google? Sa shpesh e mbani telefonin në duar përderisa pritni në radhë, thjesht për ta kaluar kohën ose për shkak të shprehisë?
Teknologjia është gjithkund. E ka ndryshuar botën tonë dhe do të jetë këtu përgjithmonë. Me vetëm majën e gishtërinjëve mund të kemi çasje në pafund informacione. Ne pothuajse nuk kemi nevojë të dalim nga shtëpia fare nëse nuk duam. Mund të bëjmë gjithçka me telefon.
Është e zakonshme të drejtojmë gishtin tek gjeneratat e reja pse janë të varur nga teknologjia, por të jemi të sinqertë, gjeneratat më të vjetra, përfshirë edhe gjyshërit janë të njejtë. Dallimi i vetëm është se gjeneratat më të vjetra i mbajnë mend kohërat para telefonëve të mençur, madje edhe para internetit.
A keni menduar ndonjëherë si na ka ndikuar teknologjia? Si e ndikon shëndetin dhe zhvillimin tonë mendor? Si i ndikon fëmijët? Ata nuk njohin një botë pa telefona të mençur, tabletë dhe laptopë.
Shumë kohë e kaluar para ekranit shkakton probleme të sjelljes tek fëmijët
Të kaluarit e orëve të tëra në internet dhe duke përdorur teknologjinë ka ndikim negativ në shëndetin fizik dhe mendor të të rriturve. Fëmijët që ngjiten para ekranit e kanë edhe më keq. Një studim i ri nga Universiteti i Miçiganit ka treguar se koha para ekranit mund të ketë ndikime serioze negative në shëndetin dhe zhvillimin e fëmijëve.
Rezulton që, kjo varet shumë nga prindërit. Prindërit që kalojnë shumë kohë në telefonat e tyre, laptopë apo pajisje tjera teknologjike, duke përfshirë televizorin, tentojnë të kenë marrëdhënie më pak kuptimplote dhe jo të përmbushura me fëmijët. Për pasojë, fëmijët ndihen të parëndësishëm ose të frustruar. Ata mund të sillen në mënyra me të cilat tentojnë të marrin vëmendje.
Studimi paralajmëron për lidhjen mes përdorimit të teknologjisë nga prindërit dhe sjelljes së fëmijëve.