Presidenti Vuçiq: nga 1 shtatori çmime më të ulëta, kredi më të lira dhe dru për ngrohje më i përballueshëm
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar se të dielën, më 24 gusht, do të prezantojë masat e reja ekonomike për qytetarët, të cilat do të hyjnë në fuqi më 1 shtator.
“Përgatituni për të dielën, do të jenë masa të jashtëzakonshme… ndoshta masat më të mira për popullin e thjeshtë… Dhe kjo fillon të zbatohet që nga 1 shtatori. Nga çmimet, deri tek gjithçka tjetër, do ta shihni vetë,” tha Vuçiq gjatë një vizite në hapësirat e rinovuara të SNS në Palilulë, të cilat ishin demoluar më herët.
Një nga pikat kryesore është ulja e normave të interesit për kredi. Sipas tij, qytetarët me të ardhura mesatare do të kenë mundësi të marrin kredi me kushte shumë më të favorshme, duke e ulur interesin aktual prej rreth 11% me 30 deri në 40 për qind. Kredia më e volitshme do të ofrohet përmes Postës Kursimore, por edhe bankat e tjera do të jenë të detyruara të ulin ndjeshëm normat e interesit.
Presidenti shtoi se qeveria ka paraparë mbështetje shtesë për pensionistët dhe shtresat më të varfra të popullatës, duke theksuar se në takimet e fundit është përpiluar një plan konkret për lehtësimin e barrës financiare.