Presidenti Trump: Nuk marr pjesë në një debat virtual
Presidenti i SHBA Donald Trump tha sot se nuk do të merrte pjesë në një debat me rivalin demokrat Joe Biden nën një format të ri, në bazë të të cilit kandidatët do të flisnin virtualisht nga distanca.
Në një intervistë me televizionin Fox Business Network, Presidenti Trump tha se formati i ri virtual i shpallur nga Komisioni për Debatet Presidenciale nuk ishte i pranueshëm për të.
“Nuk do të harxhoj kohën me një debat virtual,” tha ai.
Komisioni i debateve tha të martën se kishte vendosur që debati i dytë mes kandidatëve i planifikuar për më 15 tetor me pyetje nga votuesit dhe moderatorët, të zhvillohej në mënyrë virtuale, pas diagnostikimit të Presidentit Trump me COVID-19.
Plani ishte që Presidenti Trump dhe rivali i tij Joe Biden të flisnin nga distanca ndërsa votuesit dhe moderatorët t’i bënin pyetjet nga Majemi i Floridës, ku ishte planifikuar fillimisht debati.
Presidenti tha se nuk kishte ndërmend të ulej përpara kompjuterit për të debatuar, duke e quajtur këtë “qesharake”. Fushata e tij tha se Presidenti do të japë prova të testimit negativ përpara debatit prandaj nuk është e nevojshme që debati të zhvillohet virtualisht.
Nga ana e saj, fushata e zotit Biden tha sot se e pranonte ndryshimin e rregullave.