Presidenti Meta nderohet me çmimin ‘Luani i Artë’ në Itali
Krah fëmijëve të tij, Presidenti Ilir Meta, është nderuar nga Rajoni i Venetos në Itali, me çmimin Ndërkombëtar të Venecias “Luani i Artë” për promovimin e demokracisë dhe pluralizmit politik
Presidenti Ilir Meta u vlerësua në Venecia me Çmimin Ndërkombëtar “Luani i Artë”, me motivacionin: “Në vlerësim të kontributeve të tij për promovimin e demokracisë dhe pluralizmit politik, për forcimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan, për promovimin e bashkëjetesës dhe harmonisë fetare, si edhe për forcimin marrëdhënieve italo-shqiptare”.
Ky çmim ka shërbyer që Presidenti Meta të mbajë një fjalim, ku ka sjellë në dukje historinë e tij në politikën shqiptare, nga student deri në President, arritje në karrierë që sipas tij i ka bërë vetëm falë demokracisë. Por kreu i shtetit ndau vlerësime edhe për udhëheqësit e moderuar të rajonit siç ai u shpreh. të cilat me dialog kanë bërë që vendet e Balkkanit të jenë më afër Evropës.
“Unë kam lindur 50 vite më parë në diktaturën më të errët që Europa ka njohur. Falë demokracisë unë, një student i ri, u bëra deputet, ministër, Kryeministër, Kryetar Kuvendi e President i Republikës, ndaj ky çmim i dedikohet demokracisë, si sistemi i vetëm që mund të ndryshojë të ardhmen për të rinjtë dhe qytetarët e një vendi. Ky është një çmim, që u dedikohet gjithashtu udhëheqësve të moderuar të rajonit, të cilët falë pjekurisë, dialogut, kanë bërë që vendet e Ballkanit, që sillnin vetëm krizë e luftë, sot janë më afër Europës e më afër paqes mes popujve”, tha Meta.
Presidenti Ilir Meta ishte në këtë ceremoni me tre fëmijët e tij ku në përfundim tha edhe disa fjalë për familjen.
“Ky çmim i dedikohet edhe familjes time, për mbështetjen dhe dashurinë, duke më lejuar të punoj çdo ditë me këmbëngulje e qetësi”, tha Meta.
Fjala e plote e Presidentit Ilir Meta
“Të nderuar Miq të Çmimit Ndërkombëtar të Venecias!
Ju faleminderit nga zemra!
Ky është një çmim që në radhë të parë i dedikohet popullit shqiptar.
Veçanërisht shqiptarëve të Italisë, që nga ata të ardhur prej shekujsh në Itali e deri tek shqiptarët e ditëve të sotme, për punëtorët, studentët, e për të gjitha familjet e shqiptarëve.
Ky është një çmim që i shkon edhe mijëra italianëve që jetojnë e punojnë në Shqipëri prej vitesh: sipërmarrës, studentë, profesionistë.
Ky çmim është një simbol i miqësisë Itali-Shqipëri, një miqësi unike dhe e pandashme.