Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, testohet pozitiv për koronavirus
Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, ka njoftuar “live” në televizion se ka pranuar rezultat pozitiv në testin për koronavirus.
“Rezultati më është kthyer pozitiv”, ka thënë Bolsonaro, që ka mbajtur maskë derisa ka folur të martën.
Bolsonaro 65-vjeçar, ka relativizuar vazhdimisht pandeminë dhe distancimin social, ndonëse Brazili ishte vendi i dytë më i goditur nga COVID-19, pas SHBA-së. Në Brazil janë konfirmuar mbi 65 mijë të vdekur dhe 1,6 milionë raste të konfirmuara.
Në mars, kur në Brazil u regjistruan viktimat e para, presidenti ishte mburrur se nëse do të infektohej, shpejtë do të kalonte sëmundjen falë të kaluarës sportive.
Ai nuk është ndalur duke marrë pjesë në ngjarje. Shpesh ka mbajtur maskën në mënyrë jo të duhur, apo nuk e ka mbajtur fare atë.