Lajme

NË LUGINËN PRESHEVËS: NË ANKTHIN E PRITJES SË PAZARIT BALLKANIK ME TERRITORE

Ndërkohë që Ragmi Mustafa, Shqipërim Arifi dhe Shaip Kamberi si përfaqësues legjitim të shqiptarëve të Luginës flasin me një zë për bashkim me Kosovën, është aktivisti i shoqërisë civile dhe gazetari Valon Arifi që shprehet skeptik për këtë projekt. Ai thotë se ky është një plan i Serbisë së Millosheviqit, të cilin tani po e realizojnë pasardhësit e tij në pushtetin serb.

Shkruan: Ekipi i KDP-së

 

Kosova më 17 shkurt hyri në dekadën e dytë të shtetësisë, ende pa një perspektivë të qartë se si do të duken kufijtë e saj. Me gjasë, një marrëveshje historike midis Prishtinës dhe Beogradit pritet të arrihet deri në fund të muajit mars. Në këtë insiston Perëndimi me qëllim që të rrumbullakohet procesi i stabilizimit të Ballkanit dhe integrimit të tij në Bashkimin Evropian (BE). Presidenti amerikan Dondald Trump madje u dërgoi një letër presidentëve të Kosovës dhe Serbsë – Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq – ku paralajmëron një takim të përbashkët në Shtëpinë e Bardhë për të kremtuar arritjen e marrëveshjes.

I tërë ky proces ndiqet me vëmendje të posaçme në Luginën e Preshevës – një rajon i Serbisë së Jugut i banuar me shumicë të shqiptarëve etnikë. Te ato është ringjallur dëshira dhe vullneti i bashkimit me Kosovën, i vulosur në një referendum të organizuar në vitin 1992, i papranuar nga Beogradi. Marrëveshja Thaçi-Vuçiq pritet të shkaktojë ndryshim të dakorduar kufijsh midis dy shteteve, me ç’rast Lugina e Preshevës do t’i bashkëngjitej Kosovës si kompensim për tri komunat kosovare në veri – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – të cilat do të kalonin nën juridiksionin serb.

“E provuam me politikë, me luftë, me integrime…Serbia nuk na do dhe pikë”, thotë një shqiptar i të 40-ve duke e arsyetuar me entuziazëm idenë e Thaçit për korrigjim të kufirit. “Ka ardhur koha që ëndrra jonë të bëhet realitet. Boll më të diskriminuar nën Serbi”, thotë ai.

 

RIAKTUALIZIMI I REFERENDUMIT TË 1992-SHIT

 

Lugina e Preshevës është një rajon që gjendet në lindje të Kosovës dhe përfshinë territorin e komunave të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Shqiptarët etnikë shpesh preferojnë ta quajnë “Kosova Lindore” nga shkaku se nga Kosova administrativisht ishte ndarë në vitin 1945. Regjimi i atëhershëm komunist kishte shkëputur këtë territor me shumicë shqiptare nga Kosova e ia kishte bashkëngjitur Serbisë, kurse si kompensim ia kishte dhënë krahinës së atëhershme shqiptare tri komunat e veriut të saj me shumicë serbe.

Pikërisht te kjo pikë dëshirojnë të kthehen edhe Thaçi me Vuçiq – të kthejnë kufirin ashtu siç ka qenë para 1945-ës.

“Ky është një proces historik për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Nga formimi i partive të para shqiptare në Luginë në 1992, në mars të po këtij viti ata kanë organizuar një referendum për të parë se për çfarë janë shqiptarët e këtij rajoni. Pyetja e vetme ka qenë “A jeni për një autonomi territoriale-politike me të drejtë bashkimi me Kosovën”? Atij referendumi shqiptarët i janë përgjigjur pozitivisht, me ç’rast mbi 96% prej tyre kanë përkrahur idenë e bashkimit me Kosovën”, thotë në një bisedë me KDP-në Ragmi Mustafa, kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Mustafa është zgjedhur kryetar i Këshillit në nëntor të vitit të kaluar. Si kandidat i Partisë për Veprim Demokratik ai, ka mposhtur të gjithë kandidatët tjerë shqiptarë. Këshilli është një institucion i themeluar në vitin 2010 për të mbrojtur dhe avancuar të drejtat e shqiptarëve në fushën e arsimit, kulturës, informimit, përdorimit të simboleve kombëtare dhe përdorimit te shkrimit e gjuhës shqipe. Por, Mustafa thotë se gjendja e shqiptarëve në Serbi shkon gjithmonë drejt përkeqësimit. Kjo, sipas tij, ka sjellë në rikthimin e përcaktimit të shprehur në referendumin e 1992 – bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.

Lugina e Preshevës ka një territor prej 1250 km katror në të cilën jetojnë rreth 80 mijë banorë. Numri i banorëve, sipas përfaqësuesve lokalë, bie në vazhdimësi shkaku i kushteve jo të mira dhe mosinteresimit të Serbisë t’i integrojë shqiptarët në institucionet e sistemit.

Zyrtarisht në 1991 ka pasur 87 mijë shqiptarë, në 2001 ka pasur diku 60 mijë kurse nga viti 2011 nuk dihet numri i saktë pasi shqiptarët bojkotuan regjistrimin e rregullt të Serbisë shkaku i mospërfshirjes së mërgimtarëve. Sidoqoftë, ekspertët thonë se, në bazë të vlerësimeve statistikore, në të gjithë Serbinë sot ka afër 55 mijë shqiptarë.

“Ne si shqiptarë nuk jemi të kënaqur në Serbi pasi nuk na kanë plotësuar të drejtat, na kanë bërë të shpërngulemi, madje as ujësjellës nuk kemi. Në njëzet vitet e fundit nuk ka pasur asnjë investim shteti në Luginë. Ne si komuna mundohemi me kapacitetet tona dhe me ndihma të ndërkombëtarëve të bëjmë diçka. Krahasoni pozitën tonë me atë të serbëve në Kosovë.”, thotë kryetari i Komunës së Preshevës,Shqipërim Arifi.

Arifi është një figure e re politike në Luginën e Preshevës. Kryetari 42 vjeçar i Preshevës ka lindur në Manhajm të Gjermanisë, ku edhe është shkolluar. Në vitin 2003 është kthyer nga Gjermania në Preshevë, kurse në vitin 2016, është zgjedhur për kryetar të komunës së Preshevës.

Tek sa na tregon zyrën e tij, ai mundohet të na bindë se po tenton të instalojë një mendësi të re në vendlindjen. “Këtu më parë nuk ke mund të hyjsh prej tymit të duhanit. Kam nisur t’i rregulloj punët nga obori im”, thotë Arifi në shaka me një shqipe me theks të gjermanishtes.

“Nëse do të bëhet bashkimi i Luginës me Kosovën kjo nuk do të jetë në autorësi vetëm të Thaçit, Shqipërimit apo ndonjë politikani tjetër, por një projekt i të gjithë neve. Është një projekt i shqiptarëve që ka nisur 100 vjet më herët.”, nënvizon ai.

 

DILEMAT PËR VIJËN KUFITARE

 

Planet e “korrigjimit” të kufijve që dolën në opinion nuk do të realizohen me aq lehtësi në terren, nëse Vuçiq dhe Thaçi merren vesh për një gjë të tillë. Kufiri i ri mendohet të mos kalojë autostradën e Korridorit 10, në të cilin thuhet se Kosova do të mund të kyçet.

Në komunën e Bujanocit, përveç qytetit, fshatrat janë etnikisht të ndara. Vetëm fshati Muslarë është etnikisht i përzier, por problemi kryesor është fakti se ka dy fshatra shqiptare në anën e majtë të Korridorit 10 kurse Presheva ka pesë fshatra në atë pjesë. Ka po ashtu tre fshatra në Preshevë që janë midis korridorit dhe hekurudhës dhe ende nuk dihet se çka do të bëhet me ta.

Kryetari 55-vjeçar i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, thotë se ka kontakte të vazhdueshme për këtë me liderët politik e shtetërorë të Kosovës. Më herët ka punuar si gazetar, ndërsa ka qenë edhe deputet në Parlamentin e Serbisë.

“Në opinion kjo ide paraqitet si e z.Hashim Thaçi në dialogun me Beogradin. Në të vërtetë ky është një projekt i shqiptarëve të Luginës së Preshevës.”, thotë Kamberi. “Përderisa koncepti i integrimit brenda Serbisë nuk ka dhënë rezultatet e pritura, atëherë ideja e korrigjimit të kufijve dhe vullneti i referendumit të 1992-shit kthehet si opsion më i dëshiruar nga shqiptarët e Luginës.”

Ndërkohë që Ragmi Mustafa, Shqipërim Arifi dhe Shaip Kamberi si përfaqësues legjitim të shqiptarëve të Luginës flasin me një zë për bashkim me Kosovën, është aktivisti i shoqërisë civile dhe gazetari Valon Arifi që shprehet skeptik për këtë projekt. Ai thotë se ky është një plan i Serbisë së Millosheviqit, të cilin tani po e realizojnë pasardhësit e tij në pushtetin serb. Arifi mendon se kjo është vetëm pikënisje:“Nëse miratohet, ky proces do të vazhdojë në BeH dhe vende tjera të Ballkanit, duke prodhuar konflikte të përhershme.”

““Sektet” tona politike, apo siç ju po i quani ju “parti”, për mua kanë dështuar në gjithçka që ka të bëjë me interesin shqiptar në Luginë. Fakti qe janë aq shumë të polarizuara njëra me tjetrën të bën të kuptosh edhe pse jemi ne këtë gjendje. Ato “duan” t’i bashkohen Kosovës publikisht, por ky përcaktim harrohet kur duan të “kapin” pozita politike në Serbi. Kjo për mua është standard i dyfishtë dhe si i tillë i nxjerr ato “me fjalë në Kosovë, me mendje në Serbi””, thekson Arifi.

Sipas tij, politikanët e Luginës së Preshevës janë shumë joseriozë që të merren me tema kaq serioze.

***

Në ditët në vazhdim në KDP mund të lexoni intervistat:

  • SHQIPËRIM ARIFI: KONTESTI SHQIPTARO-SERB NUK MUND TË ZGJIDHET PA LUGINËN E PRESHEVËS
  • RAGMI MUSTAFA: SERBIA NUK I DO SHQIPTARËT SI PJESË TË SAJ, BASHKIMI ME KOSOVËN – I PASHMANGSHËM
  • SHAIP KAMBERI: MJAFT KEMI PRITUR INTEGRIM NË SERBI, KOHA ËSHTË T’I KTHEHEMI REFERENDUMIT TË 1992
  • VALON ARIFI: LIDERËT E LUGINËS JANË SHUMË JOSERIOZË PËR NJË ÇËSHTJE KAQ SERIOZE – “KORRIGJIMI” I KUFIJVE