Preshevari Arben Mehmeti në krye të kompanisë më të suksesshme zvicerane
Nga një student i zellshëm i biokimisë, jeta e bëri atë të kuptojë se përveç shkencës, ka edhe të tjera aftësi dhe mund të udhëheqë një firmë si pakkush tjetër.
Në një intervistë për albinfo.ch, ai ka rrëfyer gjithë rrugëtimin e tij, baticat e zbaticat nëpër të cilat i është dashur të kalojë për të qenë ndër kryesorët në firmën ku punon prej nëntëmbëdhjetë vjetësh.
Drejtimet biokimi e ekonomi duket se shkojnë shumë mirë, sidomos kur qëndron në krye të një firme, siç është “de Sede”. Pasi kjo e fundit ka përfituar shumë nga Arben Mehmeti për të arritur suksesin që e gëzon sot.
Intervista e Albinfo.ch: Kush është Arben Mehmeti?
Arben Mehmeti: Jam nga Rahovica e Preshevës dhe në Zvicër jam zhvendosur në vitin 2000. Shkollën fillore e kam bërë ne Rahovicë kurse të mesmen e kam të përfunduar në Preshevë, ndërsa fakultetin e Biokimisë, në Tiranë. Kur u vendosa në Zvicër, qëllim kisha të vazhdoj shkollimin edhe më tutje për profesionin të cilin e kisha zgjedhur, për t`i përfunduar punimet post-diplomike. Madje kontaktet e para i kam pasur me studentët që ishin në universitetin e Freiburgut, në Zvicër. Mirëpo për arsye se nuk e njihja as gjuhën gjermane dhe as atë frënge, më është dashur të paraqitesha në grupin e anglishtfolësve. Por për fat të keq numri i caktuar për formimin e grupit nuk u arrit dhe u detyrova të kthehem këtu, në kantonin Aargau. Fillova këtu punën si punëtor i thjeshtë në një repart të paramontazhit në firmën de Sede dhe dy muaj më vonë e mora ofertën për kontratë të përhershme. Mirëpo, para se të pranoja ofertën, kisha dy kushte “të çuditshme” për një të papunë, të cilat edhe mu plotësuan. Ato ishin, punësimi i bashkëshortes dhe ndërrimi i vendit të punës ku dhe më dërguan atje ku kontrollohej, prehej dhe qepej lëkura e kualitetit te lartë dhe pak a shumë më kujtonte profesionin tim të biokimisë, pasi që këtu më duhej për shembull të shikoja nëse poret e lëkurës ishin të hapura dhe që pigmenti nuk i kishte mbuluar tërësisht.
Si ndodhi avancimi juaj?
Në vitin 2004 e pata avancimin e parë nga punëtor i thjeshtë në udhëheqës të repartit për prerjen e lëkurës sipas shablloneve të modeleve te ndryshme dhe pas avancimit u shtuan dukshëm gjerësia dhe kualiteti i përgjegjësisë, detyrave dhe kompetencave të mia, por edhe të ardhurat. Kështu, unë fillova me një motivim shumë të lartë dhe doja të mësoja çdo gjë në detaje. Në vitin 2007 ndodhi ajo të cilën unë nuk e prisja në karrierën time: pronarët e atëhershëm e shitën kompaninë tek një kompani tjetër zvicerane që ishte nje , e që përfaqëson interesat e një grupi të investitorëve. Me tu shitur kompania, filluan edhe largimet e para nga puna, respektivisht optimizimi i proceseve punuese, siç e quanin disa nga konsulentët e atyre ditëve qe punonin për drejtuesit e rinj të kompanisë.
Largimet nga puna vazhduan me intensitet më të madh në fund të vitit 2008 dhe në fillim të 2009. E gjitha filloi me repartin ku punoja unë, duke larguar mbi 30 punëtorë.
Duke parë se çfarë ndodhi, se sa lehtë humbën koleget e mi vendin e punës, ky moment shënoi vendimin e kthimit ne procesin e studimeve të mëtutjeshme. Konkretisht në vitin 2009 regjistrova fakultetin e Ekonomisë.
Pronaret e rinj më mbajtën në fillim sepse unë me dy bashkëpunëtorë të mbetur i korrigjonim gabimet dhe siguronim sadopak mbajtjen e kualitetit. Kështu mu vazhdua puna edhe një vit dhe u bë viti 2010, kur tashmë isha në përfundim të semestrit të tretë në fakultetin ekonomik.
Duke parë rezultatin dhe efektivitetin e lartë të punës që unë bëja për ta siguruar kualitetin e produktit si dhe për t`i menaxhuar dhe koordinuar veprimet “Intercompany” në mes de Sede AG në Zvicër dhe kompanisë Machalke në Hochstadt të Gjermanisë, në vitin 2011 mora avancimin e dytë duke filluar zyrtarisht punën në kuadrin e mesëm të kompanisë sonë, sie drejtues i AVOR / PPS (Parapërgatitjes Punuese & Planifikimit dhe Drejtimit të Prodhimit), punë të cilën e drejtova me shumë sukses deri ne vitin 2014.
Po pastaj si ndodhi ngritja e juaj në detyrë?
Në vitin 2014 ndodhi prapë një ndërrim, ku detyrën e re si CEO e mori shefja ime aktuale Monika Walser. Ajo ishte shumë e shkathët por, asaj i duhej një njeri i besueshëm që e njeh dhe e do punën. Kështu ajo më ofroi postin e COO dhe anëtar i Bordit drejtues, postë të cilin e ushtroj edhe sot ku drejtoj repartet e: prodhimit, blerjes-furnizimit, shitjes së brendshme, logjistikës sie dhe te kualitetit. Numri i punëtorëve në këto ndarje operative arrin ne rreth 80.
Në vitin 2014 diplomova me sukses në ekonomi, dega: Financë, Banking dhe Taksa. Me të marrë funksionin, nga fakti që njihja thuajse te gjitha proceset prodhuese dhe administrative të kompanisë si dhe duke i përdorur teoritë e Modeleve Ekonomike të cilat i kisha shumë të freskëta, arritëm t`i ulim dukshëm kostot e të gjithë reparteve që drejtoja, si dhe të rritim eficiencën e prodhimit. Kjo gjë, krahas Lidershipit të suksesshëm të zonjës Walser, veprimeve te mirë-bashkërenduara të të gjithë reparteve tjerë, të udhëhequr nga kolegët e mi në Bordin e Drejtorëve, bëri që në vitin 2015 për herë të parë të jemi në “zonën jeshile”. Ishte një sukses i jashtëzakonshëm për ne, sepse që nga viti 2008 -2014 kompania ka pasur vështirësi serioze ku vihej në pyetje mbijetesa e saj. Sie rezultat i kësaj, 2015 ishte viti kur neve na mori përsipër një investitor familjar shumë i mirë zviceran.
Ndërkohë, nga dita që më ka avancuar në këtë detyrë, shefja e përmendur ma ka besuar edhe titullin e zëvendësit të saj. Kam pesë vite që e ushtroj këtë funksion dhe kuptohet se në kohën aktuale ku jemi, ekonomia ka pësuar ndryshime. Sigurisht, kemi pasur sfida me kosto fikse dhe me vlerat e shitjeve ne eksport që janë lidhur me parametra makroekonomikë. Pastaj globalizimi përveç përparësive ka edhe mangësi për disa prodhues, sepse sot njerëzit janë të informuar për çdo gjë dhe çdo njeri sot mundet të blejë apo shesë gjëra të ndryshme në platformën online duke rritur kështu mundësitë e zgjedhjes dhe rritjen e konkurrencës. Mirëpo falë kualitetit dhe dizajnit tonë të diferencuar nga të tjerët kemi arritur deri sot të kemi një pozicionim solid.
Fabrika prodhon produkte nga lëkura, produkte luksoze. A mund të na tregoni si sillen çmimet, nga produkti më i vogël si çanta deri te produkti më i shtrenjtë?
Klientët tanë janë njerëz që vlerësojnë shumë kualitetin, dizajnin dhe mobilet unikate. Edhe motoja e jonë për klientët tanë është para së gjithash kualitet, dizajn dhe jetëgjatësi të produktit. Në shumicën e rasteve çmimi vjen si pikë e fundit e procesit blerës. Për shembull, nëse ua argumentojmë klientëve tanë se edhe pas 40-50 viteve çmimi i produkteve tona akoma mban vlerën 70-80% të çmimit të sotëm, ata mbeten të mahnitur nga ky fakt. Në disa raste çmimi i disa produkteve mund te tejkalojë trefishin e çmimit të produktit të ri.
Nëse i doni sipas kategorive, po e marrim këtë shembull: një karrige e tipit të “foteles”, mund të shkojë nga 4500 deri në 7500 franga zvicerane. Varet nga modeli, dizajni dhe parametrat kualitativë. Një kolltuk mund të shkojë nga diku 7000 deri në 14-15000 franga zvicerane. Kemi edhe produkte që janë shumë të veçanta, të prodhuara vetëm në një numër të caktuar. Kemi rastin e një modeli të dizajnuar nga disenjatori me famë botërore Kalatrava, që mund të shkojë deri në 82 mijë franga zvicerane. Ne prodhojmë vetëm me porosi dhe secila mobile qe prodhohet është një unikat për arsye se çdo lëkurë e ka strukturën dhe ngjyrën e vet që në vetvete përfaqëson ADN e organizmit, në këtë rast, të gjedheve të reja 2.5 deri 3 vjeçare.
I kemi disenjatorët tanë, por i kemi edhe disenjatorët partnerë për ndonjë edicion special. E veçanta e punës tonë është jetëgjatësia e produkteve dhe ruajtja e vlerës.
Cilët janë yjet me famë botërore që blejnë tek ju?
Për arsye konfidencialiteti nuk kemi të drejtë t`i përmendim më të rëndësishmit nga ata që jetojnë. Sidoqoftë disa nga ata që na lejohet t`i përmendim janë: Marlon Brandon, Mick Jagger, Snoop Dogg, Tina Turner, Martina Hingis dhe shumë vip-a tjerë. Edhe në aeroportin e Cyrihut (Swiss first Lounge) por edhe në atë të Nju Jorkut ne First / business” mund të shihen dhe provohen kolltukët tanë. Gjithashtu edhe në hotelet më të njohura botërore qëndron vula e kompanisë sonë. Në më tepër se 100 filma hollivudianë shihen produktet tona, duke filluar me filmat e James Bond e shumë filma të tjerë të mirënjohur.
Po me studimet, si rrodhi puna?
Në vitin 2014, disa muaj para se ta merrja pozicionin aktual, diplomova dhe përderisa kam diplomuar, kompania nuk e ka ditur se unë isha duke studiuar. Pasi me ofruan punën që e bëj tani, u kam treguar diplomën që kisha bërë. Punimi i diplomës ka qenë rreth “ndikimit të forcimit te frangut zviceran në ekonomin e Zvicrës”, që ishte një temë me shumë rëndësi në vitet 2012-2014 e që vazhdon te jetë edhe sot. Ky punim më ka ndihmuar shumë në punën që bëja e posaçërisht në marrjen e masave dhe zbatimin e variablave ekonomikë në të gjitha proceset e reparteve që drejtoja, posaçërisht ne Repartin e Blerjes dhe Furnizimit. Njëra ndër masat që patëm marrë atë kohë ka qenë bartja e disa furnizuesve nga një shtet në shtetin tjetër për t`i shpëtuar pak kostos.
Cilat janë synimet tuaja për të ardhmen?
Ne aspektin profesional synim parësor e kam forcimin dhe rritjen e mëtutjeshme te Kualitetit duke ndihmuar kështu ne ngritjen e Brendit de Sede si një nga brendet me atraktive për gjeneratat e ardhshme në mbarë rruzullin tokësor.
Me këtë synim, ne rrafshin e optimimit të kostove, ndërlidhet edhe dëshira ime për të kooperuar me ndërmarrje prodhuese në Republikën e Kosovës. Ne tashme kemi pasur biseda bashkëpunimi me disa nga kompanitë kosovare në fushën e furnizimit me lëndë gjysmëfabrikate dhe shpresojmë shumë se në të ardhmen do të konkretizohen bashkëpunimet tona edhe në fusha të tjera.