Të fundit

“Presheva – historia politike” libri nga Reshat Neziri

“Presheva – historia politike” e Reshat Nezirit LIBËR ME VLERË PËR HISTORINË DHE POLITIKËN E PRESHEVËS

(Mr.sc. Reshat Neziri “ PRESHEVA historia-politike”, shb. “Lena” Prishtinë, 2020, fq. 225).
Bilall MALIQI
Mr.sc. Reshat Neziri para opinionit doli me një libër, libër ky i veçantë i karakterit historiko-politik, me titull “Presheva, historia-politike”, në të cilën ka hulumtuar argumente, fakte historike që nga kohët e hershme deri në ditët e sotme, në të cilat ka bërë një mbarështrim të efektshëm të lëndës studimore, në rrafshin historik dhe politik të komunës së Preshevës.
Këto tema, duke filluar nga ngjarjet historike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, e posaqërisht të Preshevës, për të vazhduar kështu nëpër etapa historike, të cilat i ka pajisur me material të thukët e studimor, të vërtetuara mirë e të studiuara në mënyrë që libri të dalë ashtu si duhet, duke u servuar lexuesve material që deri më tani nuk e kanë hasur e as që e kanë lexuar.
Për Preshevën dhe preshevarët nëpër etapa të rëndësishme historike kanë shkruar studiues të ndryshëm vendorë, por sipërfaqësisht e në aspektin politik shumë pak, andaj autori ka hyrë më thellësisht në temat me të cilat përthekohet ky libër studimor, e sidomos në atë politik, që nga pluralizmi politik e deri në ditët e sotme.
Studiuesi, Reshat Neziri lëndën tematike të librit e ka shtjelluar bukur, e ka zgjeruar dhe thelluar dhe në masë të madhe ka arritur të gjejë pikën qendrore të vlerës artistike të librit.
Kur jemi te vlera e librit në të dy aspektet tematike si në atë historike dhe në atë politike, para nesh na del një kohë e ikur historike në të cilat ka jetuar dhe jeton populli shqiptar në këtë nënqiell që ka folur dhe flet shqip, peripecitë, padrejtësitë historiko-politike që iu kanë bërë popullatës, e sidomos nga sistemi monist, pastaj për të kalaur edhe në pluralizmin politik që e udhëheqnin dhe po e udhëheqin shqiptarët, porse me kompetenca shumë të vogla ekzekutive.