Presheva dhe Plisi i Bardhë nëpër kohë
NGA: XHEMALEDIN SALIHU
Popullata shqiptare e Preshevës, me xhelozi të madhe dhe mund të madh ruajti traditën e saj të kulturës popullore gjatë shekujve. Sidomos ruajti vallen, këngën e vjetër popullore, veshjen kombëtare me Plisin e Bardhë.
Presheva bujare dhe kreshnike, e kohës antike i takonte Dardanisë. Preshevën në kohëra të ndryshme e sunduan Romakët, Bizantët, Sllavët, Turqit, Jugosllavët, mirëpo ajo asnjëherë nuk u dorëzua dhe me dinjitet dhe xhelozi ruajti traditën e kulturës popullore.Ajo nëpërmjet vallës dhe këngës, veshur edhe me plis të bardhë protestoi, kundërshtoi, por edhe luftoi pozitën e saj të prapambetur shekulloredhe diti që nëpërmjet valles dhe këngës me plis të bardhë në kokë, të gëzohet në dasma, gazmende e festa familjare e kombëtare. Pra Presheva ishte e njohur për trimëri, bujari, solidaritet, humanitet, por edhe për kultivimin e valles dhe këngës së pastër popullore shqiptare.
Publicisti i njohur Mehmet Kajtazi i Kosovës shkruan : Vallja preshevare si protestë. Më 1911, në Prishtinë ishte sulltan Reshati/emisari special, i dërguari i tij-autori/. Para se të vinte ky sulltan në vilajetin “e vet”, kishte ardhur porosia e tij “Dua që tokat që i kam bërë fet” t’i zgjojnë njerëzit nga gjumi dhe ta shprehin gëzimin e tyre që po i viziton një sulltan…”
Porosia kishte arritur edhe në Preshevë, siç kishte arritur më parë në Prishtinë, në Shkup dhe në Vilajetin e Kosovës dhe në tërë Shqipërinë. Shqipëria ende nuk e kishte shpallur pavarësinë./Atëherë Kazaja e Preshevës i takonte Sanxhakut të Prishtinës, Vilajetit të Kosovës që nga viti 1878-autori).
Për t’i shprehur “nderim të madh madhërisë së tij, sulltan Reshatit, ishte caktuar Presheva. Për sulltanin ishte njësoj, o i shprehu “nderim” Presheva, o i shprehu Prishtina e Shkupi, apo të gjitha qytetet përnjëherë. Sulltani donte ta shihte një valle të Shqiptarëve që do të luhej para tij. Dhe në Prishtinë erdhën valltarët nga Presheva. Para suitës së sulltanit u luajt vallja preshevare, së cilës i printe Lutfi Ahmeti. Sulltan Reshati iu përul valles dhe tha se kur shqiptarët vallëzojnë, kur vijë në Prishtinë, do të thotë pushteti im nuk do të venitet kurrë në Ballkan.
Le të më gjunjëzohet Shqipëria, siç m’u gjunjëzua sot në Prishtinë, shtetet e tjera të Ballkanit edhe më lehtë i mbaj nën këmbë. Por, keq ishte mashtruar sulltan Reshati. Ai nuk kishte njohuri për vallet tona. Vallja preshevare ishte një protestë, ai këtë nuk e kuptonte. Vallja preshevare që u luajtë para Sulltan Reshatit ishte krijuar mu në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kur Shqiptarët kërkonin vetëvendosje… /Bujku, Prishtinë, 12 gusht 1994/
Plisi i Bardhë shenjë identifikimi
“Në Luginën e Pçinjës/një krahinë afër Preshevës-autori/ mbahej plisi, ndërkaq në Luginën e Preshevës më pak.I kam ndëgjuar vetë pleqtë tanë se si mes dy luftërave botërore pushteti serb /Mbretëria Jugosllave-autori/, ditën e pazarit në Preshevë ua merrte plisin, ua hudhte në baltë dhe i urdhëronte që kurrë mos t’i shihte me të në kokë.
Në Luginën e Pçinjës, përkundrazi, burrat bartnin plis të bardhë. Ata e dinin për të vetin, sepse i tyre ishte.Ishte i tyre, sepse ishin shqiptarë të serbizuar. Edhe gratë bartnin shami të bardhë.” shkruan Halit Halimi në librin:Miratoci, vendlindja ime, malli im, Prishtinë, 2016, f.120.
Autori vazhdon se gjatë viteve 1912-1918 ndodhin masakra serbe ndaj shqiptarëve, por Shqiptarët me ngulm mbrojnë lirinë, por edhe plisin e bardhë.
Kështu “Në Shkup para stacionit të trenit/…/katër ushtarë mbanin bajonetat e tyre në gatishmëri, derisa midis tyre ndodheshin dy të rinj shqiptarë me plisa në kokë.Është çudi sa është i lidhur shqiptari me plisin. Për të ai është si gjymtyrë e trupit. Ata dy të rinj, po ta kishin hequr plisin, sigurisht që nuk do të ishin vrarë, por shqiptarit nuk i bie në mend ta heq atë në asnjë rrethanë.
Ai e bart atë që nga koha ilire. Për shqiptarin kësula është shenjë identifikimi.”, shkruan në f.121.
Në Preshevë, kaherë në traditën popullore, dasmat dhe gazmendet familjare, por edhe kombëtare bëhen me daulle e zurle, ndërsa tek gratë ato bëheshin me dajre. Madje, familjet e pasura në ditën e marrjes së nuses organizonin tubime popullore gazmendi në pritje të ardhjes së krushqëve. Krushqit për ta marrë nusen shkonin me qerre kuajsh, qerre lopësh apo edhe qerre bullicash. Ndërsa familjet më të pasura i çonin edhe familjarët apo krushqit pleqë apo më të njohur hipur në kuajë.
Sipas kujtimeve të Mulla Tefik Osmanit nga Presheva, në qershor të vitit 1930, Grupi i Vallëtarëve dhe i Këngëtarëve nga Presheva, ndër të tjerët ishin edhe Selim Osmani dhe Zejdi Ahmeti, vallëtarë dhe këngëtarë, shkojnë në Beograd dhe marrin pjesë në manifestimin kulturor dhe gjimnastikor të organizatës “Soko” të Jugosllavisë Mbretërore. Grupi i vallëtarëve ishte i veshur me veshje kombëtare, tirçi, xhamadanë dhe plisa të bardhë. Bile tirqit e zezë dhe plisin e bardhë, vallëtarit Selim Osmanit ia siguroi Emin Kurbaliu i Preshevës, i cili vishej rregullisht me tirç të zi, mbante plis të bardhë si dhe mbante me vete çiftelinë. Pjesëmarrjen e Grupit të vallëtarëve dhe këngëtarëve e shënoi edhe shtypi i atëhershëm jugosllav : pjesëmarrjen e grupit e vërteton edhe fjala përshëndetëse e kryetarit të Shkupit, kur thotë, se në këtë manifestim të forcës dhe të disciplinës nacionale, bashkimit dhe përpjekjeve për një të ardhme më të mirë marrin pjesë të gjitha viset e Banovinës së Vardarit me veshjet e tyre kombëtare/Presheva deri më vitin 1945 i takoi kësaj banovine-autori/.
Kështu më 10 maj 1941 u organizuan Demonstratat Shqiptare në Shkup, për të cilat deri tani thuhej se janë organizuar në mënyrë spontane edhe atë nga Shaip Mustafa. Ato u organizuan nga LKpÇB e Tokave Shqiptare, në krye të së cilës qëndronin: Shaip Mustafa, Shaban Efendia, Hafëz Lutfi Ahmeti, Jahja Osmani, Abdulla Veliu, Aqif Tetova, Idriz Ymeri, Shaip kamberi, Xhafer Sylejmani si dhe shumë intelektualë të tjerë shqiptarë.
Demonstratat në Shkup erdhën menjëherë pasi delegacioni i LKpBTSH u kthye nga Tirana.
Pra, më 10 maj 1941 u caktua data e Demonstratave, ndërsa demonstruesit shqiptarë u nisën nga Bojali Hani, qendra e Lëvizjes Kombëtare. Demonstruesit mbanin plisa të bardhë dhe pankarta të shkruara: “Shkupi, Kumanova, Presheva Shqiptare” . Demonstruesve në ndërkohë iu bashkangjitën edhe profesorët dhe nxënësit e Medresesë “Gazi Isa Beu”, të cilët sëbashku nga Bojali Hani, nëpër qendrën e Shkupit, ndalen në Urën e Gurit dhe aty e vejnë flamurin shqiptar.
Shaip Mustafa ishte vetëm njëri ndër organizatorët, por jo edhe kryeorganizatori, sepse këtë epitet e mban Lëvizja Kombëtare për Bashkim të Trojeve Shqiptare(LKpBTSH), themelues të së cilës ishin shumica nga Presheva.
Vallet shqiptare të burrave në Preshevë janë valle që në motivet e tyre kanë mesazhe të ndryshme. Zakonisht këto valle përmbajnë temat e nderit, besnikërisë dhe të guximit, duke mos përjashtuar edhe ato valle që i përkushtohen dashurisë dhe gëzimeve familjare, siç janë dasmat. Këto valle përmbajnë emocione të shumta, të cilat arrijnë të interpretohen nga lëvizjet e valltarëve.
Vallet e Preshevës janë:Vallja e Preshevës “Preshevka”, Vallja e Miratocit “Miratocka”, Vallja preshevare: “Ani jom e ligë, ani jom tue dekë”, Vallja e Marhamës, Vallja e Deli Agushit, Vallja me këndim : “Pembe, Pembe”,Vallja me këndim: Dimke, Dimke Popova, Vallja e Moravës dhe Vallja: “Tarazejbek”.
Veshja në vallet e burrave-Plisi i Bardhë
Në vallet e burrave, elementi më tipik i kësaj veshjeje janë tirqit, të cilat kanë formën e pantollave të ngushta prej shajaku, në të shumtën e rasteve ngjyrë të zezë ose të murme, më rrallë me ngjyrë të bardha. Atëherë ngjyra e gajtanëve, shiritave të tirqve ishte e kundërta e ngjyrës së tirqve.
Përgjithësisht ato lidhen poshtë belit, shtrënguar dhe shoqëruar edhe me një brez të leshit me vija disangjyrëshe, e cila në Preshevë quhet shokë. Gjatësia e saj mund të jetë e ndryshme.
Në pjesën e sipërme vishej një këmishë me mëngë të gjata, me ngjyrë të bardhë, jelek pa mëngë, me ngjyrë të zezë apo të murme prej shajaku.
Tirqit zakonisht janë bartur në vallet e burrave, më rrallë si veshje e përditshme, pos në Karadakun e Preshevës.
Në Preshevë ishte traditë popullore që të vishen tirqit e zi, këmisha e bardhë, xhamadani dhe Plisi i Bardhë, nga persona të njohur dhe të dalluar në veshje, duke filluar nga Emin Kurbaliu, Isa Bina, Ali Rrustemi, e të tjerë.
Opingat janë pjesë përbërëse e veshjes popullore me traditë të vjetër dhe kanë shtrirje mbarë shqiptare.
Në Preshevë me rrethinë në vallet e burrave përdoren opingat, por popullata më rrallë i përdorë në jetën e përditshme.
Më 12 qershor 1980, në orën 16 dhe 19, në sallën e madhe të Shtëpisë së kulturës “A. Krashnica” në Preshevë, Teatri Popullor “Migjeni” nga Shkodra shfaqi dramën “Baca i Gjetajve” të Fadil Krajës, në regji të Serafin Fanko. Shfaqjet u mirëpritën, sa që në të dy shfaqjet, shikuesit e mbushën përplot sallën.
“Një ditë e nxehtë qershori. Të dy autobusët tanë rrëshqasin në rrugën e shtruar drejt Preshevës. Është hera e parë që një grup artistik nga Shqipëria i drejtohet këtij qyteti.
Zbresim përpara pallatit të kulturës. Na presin vajza të reja me karafila në dorë dhe i vendosin në gjoksin e secilit prej nesh. Pastaj pritja nga autoritetet shqiptare të Preshevës. Ngrohtësi e jashtëzakonshme. Njohje shumë e shpejtë, sikur të ishim miq të vjetër.
Në krye të këtij organizimi miku ynë Xhemaledini.
Dreka ishte madhështore. E jashtëzakonshme, mund të thuhet. Pastaj menjëherë dy shfaqje rresht. Salla e re njëmijë vendesh, tepër moderne, u inaugurua nga trupa e teatrit “Migjeni” të Shkodrës me dramën “Baca i Gjetajve”. Publiku-i mrekullueshëm.
Pastaj darka. Atmosfera u krijua tepër e këndshme. Vendasit i përgjigjeshin kaq bukur këngëve shkodrane, sa që u bindëm të gjithë se kënga jonë e bukur dhe e magjishme shkodrane këndohet kudo ku ka shqiptarë.”, shkruan: Isa Alibali, Rrënjë dashurie, Shkodranët pë Kosovën, Tiranë, 2012, f. 94
Isa Alibali vazhdon:
“Në shfaqjen e dytë, ndodhi një ngjarje jo e zakonshme. Kur në fund të shfaqjes aktorët dalin për të përshëndetur spektatorët entuziastë, një plak, me hap të ngadaltë i ngjitet skenës, i mbajtur nga dy nipat e vet. I afrohet Ndrekë Lucës, i heq qeleshen nga koka dhe i vë të veten. Salla nuk përmbahet më. Duartrokitjet e fuqishme, të cilat u shtuan tepër nga shpërthimet e papërmbajtshme, u dukën si një shpërthim i shpirtit të kombit tonë.
Plaku nuk lëvizi nga skena. Ishte bërë pjesë e trupës së teatrit, si të ishte një nga aktorët më të vjetër. Herë pas herë i fryhej gjoksi dhe dukej se donte të shfrynte diçka që e kishte mbërthyer të tërin.
Të gjitha shfaqjet e tjera Ndreka i bëri me qeleshen, që i dhuroi plaku patriot nga Presheva.
E ruajti përgjithnjë këtë relikt të rrallë.
Kur në vitin 1994 i ra infarkti i dytë, para se të ndahej prej nesh, porositi të shoqen dhe të birin që ta varrosin me atë qeleshe, të dhuruar aq bujarisht dhe aq solemnisht nga vëllezërit e një gjaku.
Amaneti u zbatua. Ndrekë Luca u nda nga jeta me qeleshen e plakut nga Presheva, për ta ruajtur e për ta mbajtur pranë vetes përjetësisht.”